Kosova do të presë deri në konstituimin e Kuvendit të ri për marrjen e këstit të parë prej 61 milionë eurove nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtarë në Kuvend, të cilat nuk mund të ndodhin tani pasi ka përfunduar legjislatura dhe vendi mban zgjedhjet më 9 shkurt.
Plani i rritjes është kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave Kosova do të përfitojë deri në 882.6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro, janë hua afatgjatë.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian nuk ka ekzekutuar pagesat për asnjë shtet në rajon, pasi asnjë prej tyre nuk ka arritur t’i miratojë marrëveshjet me BE-në në kuvendet e tyre.Në anën tjetër, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Annita Hipper, thotë për KosovaPress se Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian do të sjellë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian.
Sipas saj, Komisioni Evropian ka vlerësuar agjendën e reformave të Kosovës dhe ka arritur në përfundim se ajo është në përputhje me objektivat dhe kërkesat e këtij institucioni.
Mirëpo, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thekson se mjetet e para-financimit janë zotuar se të disbursohen në dhjetor të vitit të kaluar, megjithatë, ai shton se për arsye teknike të njëjtat kanë mundur të zvarriten nga ana e Bashkimit Evropian.
“Plani për shpërndarjen e mjeteve është vonuar për shumë arsye teknike të Komisionit Evropian dhe me siguri tani do të vonohen për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Sidoqoftë pas zgjedhjeve cila do qeveri që të jetë do të merr mjetet financiare dhe t’i fut ato në reformat e duhura”, deklaron Arifi.
Qeveria e Kosovës në tetor të vitit 2024 ka miratuarAgjendën e Reformave në kudër të Instrumentit të Bashkimit Evropian për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, të cilën e ka aprovuar edhe Komisioni Evropian./E.Zeqiri