Gjendja në Serbi është bërë shqetësuese, pasi është vërejtur rritje e dhunës krahasuar me vitin e kaluar. Kështu ka thënë i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, Tonino Picula në një podcast, transmeton KosovaPress. Ai po ashtu ka thënë se situata parazgjedhore në Serbi e krijuar pas deklaratave të Vuçiqit për dorëheqje, dëshmon se do të pasojë një periudhë edhe më e vështirë.
Picula nënvizoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tashmë ka hyrë në fushatë për postin e kryeministrit.
Ai shtoi se është vërejtur rritje e dhunës krahasuar me vitin e kaluar dhe se gjendja në Serbi është bërë shqetësuese.
“Po punohet sistematikisht për dobësimin e të gjitha institucioneve jetike, të rëndësishme për një rend demokratik. Serbia ka mbetur dukshëm prapa në fushën e të drejtave themelore. Gjithashtu, është i dukshëm forcimi i narrativës që nuk shkon në favor të Bashkimit Evropian. Nëse dikush që nuk është fare i informuar do ta ndiqte situatën politike në Serbi, me të vërtetë nuk do të ishte i sigurt nëse bëhet fjalë për një vend kandidat për anëtarësim në BE apo për një shtet që po përgatitet të nënshkruajë një marrëveshje afatgjatë bashkëpunimi dhe miqësie me Rusinë e Putinit ose me Kinën”, ka thënë Picula, sipas danas.Ai veçoi si fakt domethënës se në draft-raportin për Serbinë këtë vit janë paraqitur më shumë se 500 amendamente, krahasuar me rreth 300 vitin e kaluar, gjë që sipas tij dëshmon për “rritjen e interesimit për gjendjen në Serbi”.
“Javën e ardhshme në Strasburg do të mbahet seanca plenare, ku besoj se do të miratohet edhe Raporti për Serbinë. Serbia do të jetë në rend dite si pikë e veçantë diskutimi. Nuk bëhet fjalë vetëm për një vend të Ballkanit Perëndimor; ajo është veçuar si temë më vete, ndërsa në fakt vetë udhëheqja e saj kërkon që debati të përqendrohet posaçërisht në gjendjen në Serbi”, theksoi Picula.
Ai theksoi se autoritetet në Beograd, që nga dita e parë, kanë manipuluar me akuzat dhe dyshimet se gjatë protestës së 15 marsit të vitit të kaluar janë përdorur mjete të ndaluara për kontrollimin e protestuesve (top zanor), ndërsa Parlamenti Evropian kishte kërkuar që atëherë një hetim të pavarur për të sqaruar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, bazuar në dëshmitë e shumë qytetarëve dhe raportet mjekësore.