Samiti “Power to HR”: Burimet njerëzore faktor kyç për zhvillimin ekonomik
Lajme
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Samiti “Power to HR”: Burimet njerëzore faktor kyç për zhvillimin ekonomik
06/05/2026 - 15:25
Linku u kopjua
Burimet njerëzore konsiderohen faktor kyç për zhvillimin ekonomik. Kjo u theksua edhe në Samitin “Power to HR”, i cili ka mbledhur mbi 500 pjesëmarrës dhe mbi 100 folës nga kompani prestigjioze globale si Google, Microsoft, OpenAI, Zoom, Rakuten Viber dhe Amazon, duke ofruar një platformë për diskutim mbi trendet më të fundit, shkëmbim përvojash dhe zhvillimet në tregun e punës dhe teknologjisë.
Me këtë rast, ambasadori i Republikës Federale të Austrisë në Kosovë, Georg Schmetzer, vlerësoi lart iniciativa të tilla, duke theksuar se mundësitë janë domosdoshmëri ekonomike.
“Po jetojmë në një kohë transformimi të thellë. Në të gjithë Evropën, shoqëritë po plaken, tregjet e punës po ngushtohen, dhe teknologjitë po evoluojnë më shpejt sesa institucionet mund të përshtaten. Në këtë moment, forca përcaktuese e çdo vendi nuk janë më thjesht burimet apo gjeografia e tij. Është aftësia për të tërhequr, zhvilluar dhe mbajtur talentin. Talenti është motori i konkurrueshmërisë. Megjithatë, talenti nuk ekziston në izolim. Ai ekziston brenda sistemeve, politikave, vendeve të punës dhe, mbi të gjitha, brenda zgjedhjeve. Nëse njerëzit mund të marrin pjesë plotësisht në tregun e punës varet nga zgjedhjet që kanë në dispozicion. Dhe kjo është arsyeja pse përfshirja, barazia dhe mundësitë nuk janë ideale abstrakte. Ato janë domosdoshmëri ekonomike. Këtu hyn në lojë partneriteti. Austria ka qenë një partner i përkushtuar dhe i besueshëm për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor për dekada. Angazhimi ynë udhëhiqet nga një objektiv i qartë: të mbështesim zhvillimin e qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt Bashkimit Evropian”, tha Schmetzer.
Ideatori i këtij samiti, njëherësh themelues Kosova Job, Arion Rizaj, theksoi rëndësisë e organizimeve të tilla për vendin, duke nënvizuar se ngjarje të këtij niveli janë ende të rralla në Kosovë.
“Për neve është shumë e rëndësishme dhe misioni kryesor ka qenë me i pru njerëzit prej krejt botës në Kosovë. Ne paguajmë mijëra euro me shku nëpër vendet e Evropës me ndjekë samite, kështu që është një mundësi jashtëzakonisht e mirë edhe unike që njerëzit me ardh te ne. Edhe këtë po besoj e kemi mbërri me mbi 100 spikerë që kanë ardh me jep njohurinë e tyre me nda me neve edhe mbi 500 pjesëmarrës që janë prej rajonit edhe prej Evropës që kanë ardhë apostafat për Poëer to HR… Emrat e përveçëm nuk kisha nda por i kisha nda ndoshta brendet sepse ma lehtë njerëzit kanë me mujtë me i asociu njerëzit me brende. Kemi folës që po vijnë prej Microsoft-it, prej Google, Facebook, prej Amazon, prej OpenAI-it, ChatGPT-së, prej BMË-së, Siemens-it, Bosch-it, domethënë janë kompanitë më të mëdha të botës që kanë ardhë në këto dy ditë për me mbajtë sesione edhe me nda njohurinë e tyre me audiencën tonë”, tha Rizaj.
Ai foli edhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale, duke theksuar se rritja e samitit shoqërohet me nevojë më të madhe për përkrahje dhe bashkëpunim.
Ai theksoi se sfidat kryesore në rajon mbeten krijimi i vendeve cilësore të punës dhe ofrimi i mundësive të barabarta, ndërsa roli i profesionistëve të burimeve njerëzore është thelbësor në këtë drejtim.
Ndërkaq, arkitekti kryesor i inteligjencës artificiale në Microsoft, Fatos Ismaili, foli për ndikimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës dhe mënyrën se si ajo po transformon profesionet.
“AI po u mundëson njerëzit të zgjerojnë aftësitë e tyre përtej fushës së tyre kryesore. Për shembull, nëse je analist marketingu dhe përdor GenAI, sot me mjete si GitHub Copilot dhe Claude, mund të shkruash edhe kod. Pra, mund të bëhesh pothuajse si programues falë këtyre teknologjive. Po shohim programues që po bëhen ekspertë në financa, njerëzit që po ndërtojnë ‘trading bots’, ose agjentë për kërkim marketingu. Kjo po sjell një përzierje të aftësive ndërmjet fushave të ndryshme. E dyta, po mjegullon kufijtë mes asaj që konsiderohet punë dhe asaj që nuk konsiderohet punë. Ndonjëherë je duke pritur që AI të përfundojë një detyrë dhe ndërkohë merr një tjetër. Kjo çon në më shumë multitasking, gjë që rrit ngarkesën mendore. Pra, në vend që të lirohesh nga puna, në fakt po merr më shumë detyra. Dhe kjo është paksa në kundërshtim me idenë fillestare që AI do të na çlironte nga detyrat e mërzitshme dhe do të na lejonte të fokusohemi në punë më kuptimplota. Në realitet, shumë njerëz po marrin më shumë punë dhe kjo po rrit ngarkesën e tyre mendore”, tha Ismaili.
Në kuadër të këstij samiti janë paraparë sesione interaktive që adresojnë sfidat dhe mundësitë e tregut të punës në epokën digjitale. Organizatorët vlerësojnë se ngjarje të tilla kontribuojnë në fuqizimin e profesionistëve vendorë dhe në rritjen e dukshmërisë së Kosovës si një vend mikpritës për iniciativa ndërkombëtare.
/Kosovapress/