Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Lëvizja FOL kanë vlerësuar se procesi i deritanishëm për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit është zhvilluar në mënyrë të rregullt, transparente dhe të barabartë ndërmjet kandidatëve.
Sipas një komunikate të përbashkët, organizatat kanë monitoruar të gjitha fazat kryesore të procesit, përfshirë miratimin e rregullativës, konfirmimin e kandidaturave, hartimin e pyetjeve dhe intervistimin e pesë kandidatëve.
Po ashtu, organizatat kanë vlerësuar pozitivisht publikimin e konceptdokumenteve të kandidatëve, duke theksuar se ky hap ka rritur transparencën dhe ka mundësuar që publiku dhe mediat të njihen paraprakisht me vizionin e secilit kandidat.
Në raport thuhet se gjatë fazës së verifikimit të kandidaturave nuk janë evidentuar probleme përmbajtësore dhe se pesë kandidatët kanë plotësuar kriteret ligjore për të vazhduar garën.Koalicioni thekson se gjetja më e rëndësishme është se gjatë intervistimit nuk është evidentuar trajtim i pabarabartë i kandidatëve. Të gjithë kandidatët janë intervistuar në kushte të njëjta, kanë marrë pyetjet e njëjta standarde, kohë të barabartë për përgjigje dhe janë vlerësuar menjëherë pas përfundimit të intervistave.
Gjithashtu, monitoruesit nuk kanë evidentuar komunikim ndërmjet anëtarëve të Panelit Vlerësues që do të mund të ngrinte dyshime për koordinim të vlerësimeve apo cenim të pavarësisë së procesit.