Përvjetori i lindjes së Odhise Paskalit
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Më 22 dhjetor 1903 lindi në Përmet skulptori shqiptar, Odhise Paskali, i cili cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.

Hapat e para të karrierës së Odhisesë, janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti.

Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968, “Naum Veqilharxhi”, bust në bronz, në Korçë, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968 etj..

Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Tiranë, te Galeria Kombëtare e Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të Shqipërisë. Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë.

Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i Paskalit me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave.

Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali.

Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet.

Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 shtator 1985 i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024