Përplasja e fraksioneve brenda SNS-së nxjerr në pah lidhjet me botën e krimit në Serbi
Rajoni
Lexohet për: 7 min.
Dëgjoje me zë...
Përplasja e fraksioneve brenda SNS-së nxjerr në pah lidhjet me botën e krimit në Serbi
Vuciq, Miliq
01/07/2026 - 19:22
Linku u kopjua

Brenda Partisë Përparimtare Serbe (SNS) ekzistojnë fraksione të ndryshme që bashkëpunojnë me grupe të ndryshme kriminale, të cilat tani janë në luftë mes vete, thotë Stevan Dojcinoviq, kryeredaktor i portalit hulumtues KRIK për DW, transmeton KosovaPress.

Teksa flet për vrasjen mafioze që ndodhi më 12 maj në qendër të Beogradit, por që është përcjell me dabate të shumta, Dojcinoviq nënvizon se nuk ka asgjë të pazakontë.

Rasti i vrasjes në restorantin “27” në lagjen Senjak të Beogradit ka marrë disa kthesa të mëdha brenda dy javësh. Fillimisht u pretendua se shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq, kishte ndihmuar në fshehjen e provave, ndërsa më pas u tha se ai nuk kishte qenë fare në vendin e ngjarjes kur Sasha Vukoviq Boske vrau Aleksandar Neshoviq i njohur si Baja.

Megjithatë, për shumë qytetarë të Serbisë pyetja kryesore mbetet e njëjtë: çfarë kërkonte shefi i policisë më të madhe në vend në shoqërinë e dy figurave të njohura të botës së krimit?

“Fakti që kemi një shef policie të lidhur me krimin dhe që merr pjesë në veprime kriminale është diçka e njohur dhe është dëshmuar disa herë”, tha Dojcinoviq për DW.

Sipas tij, shteti serb, ose më saktë Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila kontrollon të gjitha levat e pushtetit, është drejtpërdrejt e ndërthurur me krimin e organizuar.

“Por shteti nuk ka një partner të vetëm të qëndrueshëm. Në varësi të rrethanave, ai zgjedh me cilin grup kriminal të bashkëpunojë. Deri në vitin 2021 bashkëpunonte ngushtë me nën-grupe të klanit Kavaç, ndërsa më pas situata ndryshoi: ata u shpallën armiq të shtetit dhe bashkëpunimi kaloi te grupi rival”, tha ai.

Sipas tij, pikërisht këto aleanca të ndryshueshme kanë kontribuar në përplasjet e përgjakshme në botën kriminale serbe. Gjatë dekadës së fundit, më shumë se njëqind persona janë vrarë në atentate mafioze, shpesh në mes të ditës dhe në vende publike.

Për këtë arsye, thotë ai, as vrasja e fundit nuk ishte diçka e pazakontë.

“Ky rast u bë i madh sepse i konvenonte SNS-së që të bëhej i tillë. Brenda SNS-së ekzistojnë fraksione të ndryshme që bashkëpunojnë me grupe të ndryshme kriminale, të cilat tani janë në luftë mes vete”, shpjegon Dojcinoviq.

Një dekadë provash

Gjatë dhjetë viteve të fundit, pretendimet për lidhjet mes udhëheqjes politike të Serbisë dhe krimit të organizuar janë mbështetur nga procese gjyqësore, dëshmi të dëshmitarëve, komunikime të deshifruara nga aplikacioni Sky dhe nga puna shumëvjeçare e gazetarëve investigativë.

Sipas gazetarit Branko Cecen, marrëdhënia mes SNS-së dhe botës së krimit daton që nga fillimi i qeverisjes së Aleksandar Vuciqit.

“Kjo shihet nga fakti se njerëz që filluan të marrin papritur kontrata shtetërore vinin drejtpërdrejt nga bota kriminale, si Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiciq”, tha Cecen.

Një nga shembujt më domethënës doli nga hetimet kundër Veljko Belivukut, i konsideruar si udhëheqës i një prej grupeve kriminale më famëkeqe në Serbi.

Sipas raportimeve të KRIK-ut nga gjykata, Belivuk u kishte thënë prokurorëve se kishte vendosur “të tregojë gjithçka” për marrëdhëniet e grupit të tij me presidentin Vuciq, ministrin e atëhershëm të Punëve të Brendshme Aleksandar Vulin, vëllain e Vuciqit dhe zyrtarë të tjerë, të cilët kishin kërkuar shërbime prej tyre, ndërsa tani “sillen sikur nuk i njohin”.

Dojcinoviq përmend edhe mesazhet në WhatsApp të gjetura në telefonin e Belivukut pas arrestimit të tij në vitin 2016, të cilat sipas tij zbulojnë zinxhirin e komandës.

“Belivuk kërkonte miratimin e Nenad Vuckoviq Vuckos, një anëtar me ndikim i Xhandarmërisë. Ai raportonte te Dijana Hrkaloviq, e cila ishte personi i dytë më i rëndësishëm në polici, ndërsa ajo raportonte te shefat e saj – ministri dhe presidenti”, tha Dojcinoviq.

Një tjetër provë u publikua në vitin 2023, kur KRIK bëri publik një incizim audio ku dëgjohet Vuckoviq duke drejtuar një takim të një grupi kriminal, duke diskutuar aktivitete kriminale dhe duke u mburrur se rrjeti i tij “e mban të gjithë policinë në duar”.

Marrëdhënie me përfitim të ndërsjellë

Sipas Dojcinoviqit dhe Cecenit, marrëdhënia mes shtetit dhe krimit të organizuar nuk është vetëm çështje korrupsioni. Bëhet fjalë për një marrëveshje nga e cila përfitojnë të dyja palët: shteti ofron mbrojtje, ndërsa grupet kriminale kryejnë shërbime të caktuara.

Gjatë protestave që kanë përfshirë Serbinë në dy vitet e fundit, gazetarët hulumtues identifikuan pjesëtarë të grupeve kriminale mes personave të vendosur në të ashtuquajturin “Cacilend”, të cilët sulmonin protestuesit.

Persona të lidhur me krimin e organizuar prej vitesh lidhen edhe me grupet e tifozëve, të cilët kontrollojnë tribunat dhe organizatat e tifozëve, duke bërë që në stadiume të dëgjohen sa më pak thirrje kundër Vuciqit.

“Nuk është se shteti mbron një kartel droge vetëm që ai të DWrgojë disa dhjetëra njerëz për të sulmuar protestuesit. Gjëja kryesore është paraja. IndiviDWt që drejtojnë shtetin marrin gjithashtu pjesë në fitime. Por, duke qenë se punojnë bashkë, sa herë që duhen njerëz për rrugë apo stadiume, ata mund t’i thërrasin kriminelët dhe këta janë të detyruar të përgjigjen”, shton Dojcinoviq.

Sipërmarrje të përbashkëta politike dhe kriminale

Shembulli më i qartë i kësaj marrëdhënieje është rasti “Jovanjica”, një nga plantacionet më të mëdha të marihuanës në Evropë, i zbuluar në vitin 2019 pranë Beogradit.

Pronari i saj, Predrag Koluvija, për vite me radhë ndërtoi imazhin e një biznesmeni të suksesshëm. Ai mori vlerësime shtetërore, priti në pronën e tij zyrtarë të lartë dhe mbajti lidhje të ngushta me pjesëtarë të policisë, Agjencisë së Inteligjencës (BIA) dhe Agjencisë së Sigurisë Ushtarake (VBA).

“Shteti është vetë i përfshirë në shpërndarjen e drogës”, thotë Dojcinoviq. “Nuk flasim më për korrupsion në kuptimin që krimi blen zyrtarët shtetërorë. Flasim për një shtet që hyn në biznes të përbashkët me krimin.”

Pse askush nga maja e pushtetit nuk mban përgjegjësi?

Pavarësisht viteve të hetimeve, proceseve gjyqësore dhe provave në rritje, asnjë nga rastet më të mëdha të krimit të organizuar në Serbi nuk ka çuar në përgjegjësi politike.

Sipas Dojcinoviqit, prokuroria përdor komunikimet e deshifruara nga aplikacioni Sky për të ndjekur penalisht anëtarët e grupeve kriminale, por shmang gjurmët që çojnë te figura politikisht të ndjeshme.

“Prokuroria përdor komunikimet nga Sky për të ndjekur kriminelët, por nuk dëshiron të prekë politikanët në Serbi”, tha ai.

Autoritetet i hedhin poshtë të gjitha akuzat dhe deklarojnë zyrtarisht se po zhvillojnë një luftë të vendosur kundër krimit të organizuar.

“Kur detyrohet, regjimi arreston dikë, por më pas e zbeh rastin, sepse nuk guxon ta sakrifikojë bashkëpunëtorin e vet, i cili mund të flasë dhe t’i shkaktojë dëm”, shton Cecen.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026