Federata e Shahut e Kosovës ka përmbyllur Kampionatin Individual të Kosovës 2026 për grupmoshat U8 deri në U18, duke kurorëzuar kampionët e rinj në secilën kategori. Garat sollën konkurrencë të fortë mes shahistëve të rinj nga e gjithë Kosova, ndërsa fituesit u dalluan me paraqitje të qëndrueshme përgjatë kampionatit.
Në kategorinë U18, titullin e kampiones e fitoi Jona Reçica me 6.5 pikë, duke lënë pas Ron Manin me 6 pikë dhe Dua Rexhepin me 4.5 pikë. Reçica dominoi garën me paraqitje të sigurta dhe u kurorëzua kampione e grupmoshës më të madhe të kampionatit.

Në kategorinë U14, vendin e parë e zuri Jakob Buzhala, i cili doli fitues në një konkurrencë të fortë ndaj Troi Krasniqit dhe Uvejs Sharkut, që u renditën në pozitën e dytë dhe të tretë.
Te grupmosha U12, kampion u shpall Jon Pllana, ndërsa pas tij u renditën Ali Efe Cebeci dhe Ceyhun Sundo. Pllana u dallua me lojë të qëndrueshme gjatë gjithë kampionatit.Ndërkaq, në kategorinë më të re U8, kampion u shpall Mal Berisha, i cili përfundoi në vendin e parë para Omer Kollarit dhe Taai Vuqiternës, duke treguar potencial të madh për të ardhmen.

Federata e Shahut e Kosovës vlerësoi paraqitjet e të gjithë pjesëmarrësve, duke theksuar se kampionati shërben si një platformë e rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja të shahut në vend.