Ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku do të shqyrtohej kërkesa e U.D Presidentes të Kosovës dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve.
Dështimi erdhi si pasojë e një debatit mes anëtarëve të KGJK-së dhe kryesuesit Rrustem Thaqi.
“Do të duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës, meqenëse prej dorëheqjes së tyre këta janë mbajtur në sistem pa ndonjë bazë kushtetuese dhe ligjore dhe KGJK si institucion është dashur të vendos që moti këtë çështje dhe të mos jetë sot objekt. Mirëpo pse nuk është bërë kjo ndoshta ju e dini si kryesues. Mendoj se është diçka e pazakonshme por njëkohësisht edhe jashtë çdo afati të arsyeshëm. Mund të ndodh që dorëheqja të revokohet sa është e freskët jo pas katër viteve. Krijon destabilitet dhe cenon parimin e sigurisë juridike”, tha Hyseni.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, është përgjigjur se nuk mund të japë përgjegjësi për këtë çështje, pasi sipas tij, ai është emëruar së fundmi në pozitën e kryesuesit.Po ashtu, është propozuar shtyrja e pikës për “Shqyrtimin e mandatit të anëtarëve të Komisioneve të përhershme të KGJK-së”.
Anëtari Artan Abazi ka kundërshtuar shtyrjen e kësaj pike, duke thënë se është një propozim i panevojshëm dhe duhet të funksionalizohen.
“Në mbledhjen e kaluar ne kemi propozuar që të themelohen komisionet, por me qëllim që t’i presim anëtarët e rinj që ata të jenë pjesë e komisioneve. Me qenë se gjyqtarja nuk është këtu, unë propozoj që ajo pikë e rendit të ditës të hiqet që t’ia mundësojë edhe asaj që të jetë. Unë mendoj që është dashur që të jetë pika e parë (pika e 9 për dorëheqjen e gjyqtarëve serbë). Pajtohem që jemi vonuar, ato dorëheqje e kanë dhënë efektin e tyre”, tha Imami.
“Nuk mund të më mbash përgjegjës, nuk kam obligim as përgjigje me të dhënë, ti do të merresh vëmendje, nuk është korrekte nga ana juaj. Mund të ju pyes se prej që jeni zgjedhuar anëtarë këshilli cilat kanë qenë kërkesat tuaja. Mos të keqpërdorim pozicionin në prani të publikut”, tha Thaqi.
Hyseni iu kundërpërgjigj duke thënë se kryesuesi duhet të japë përgjigje për çështjen.
Ndërsa Thaqi u përgjigj se do të jetë i përkushtuar në kryerjen e detyrës së tij, por jo sipas tij duke i shërbyer vëmendjes ditore.
“Do të jem deri në përfundim të mandatit tim. Do të jem i përkushtuar që të kryej detyrën time. Por jo duke i shërbyer vëmendjes ditore”, tha kryesuesi.