Dëshmitari i katërt i mbrojtjes, Hazir Borovci, do të vazhdojë nesër dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në procesin e gjykimit të Salih Mustafës.
Ai do të përgjigjet në pyetjet e prokurorisë ndërsa sot gjatë dëshmisë së tij ka treguar se me Mustafën u takua në pjesën e parë të prillit të vitit 1999 në fshatin Butovc. Para trupit gjykues ai ka thënë se është i bindur se Mustafa është i pafajshëm.
Ai ka thënë se me Mustafën i lidhur puna për çlirimin e Kosovës dhe organizimi i ndihmave për civilët shqiptarë.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Borovci ka thënë se ishte pjesë e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes njësisë BIA.
Salih Mustafa u arrestua më 24 shtator 2020 me pretendimin për krime lufte.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.