Sot është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarve Sllavko Simiq dhe Urosh Vukashinoviq, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, dhe për veprën penale sulm. Në seancën e mbajtur sot, të dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues, raporton KosovaPress.
“E nderuar gjyqtare, absolutisht nuk jam fajtor,” tha Simiq. “E nderuar gjyqtare, nuk e pranoj fajësinë sepse jam i pafajshëm,” deklaroi Vukashinoviq.
Në momentin kur nga objekti i Komunës së Leposaviqit ka dalë ministri Elbert Krasniqi, persona civilë dhe të maskuar kanë filluar të hedhin shok-bomba në drejtim të veturës zyrtare të ministrit. Pasi ministri ka kaluar, i pandehuri Simiq, sipas aktakuzës, ka dhënë urdhër duke thënë “goditni mediat”, pas çka sulmi ka vazhduar në drejtim të gazetarëve të mediave të Kosovës.
Nga ky sulm kanë pësuar lëndime të rënda trupore gazetarët Pleurat Salihu dhe Bardh Bekteshi, ndërsa me lëndime të lehta trupore është dëmtuar gazetarja Venera Xhoxhaj.
Sipas aktakuzës, ai ka gjuajtur me mjete të forta kupëza betoni, tulla dhe sende të tjera – në drejtim të gazetarëve të disa mediave.
Bazuar në aktakuzë, Urosh Vukashinoviq ngarkohet me veprat penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” dhe sulm.