Policia ka përfunduar operacionin policor për bastisje në fshatin Banjskë të Zveçanit. Këtë e konfirmoi për KosovaPress, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Mëngjesin e së martës policia do të vendosë se si do të procedohet më tutje.
Pas arrestimit të dy sulmuesve terroristë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, arrestimit të katër personave të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist, si dhe arrestimit të dy personave të dyshuar të hënën, numri i të arrestuarve deri më tani ka arritur në tetë persona.
Mjetet e konfiskuara gjatë së martës përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një ekskavator të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe të armatimit. Përpos kësaj, policia pati sekuestruar armatim në sasi të madhe edhe gjatë së dielës.
Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.