Përbërja e re e Komisionit Evropian, pritet qasje më pro-aktive ndaj Kosovës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Kosova BE
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Parlamenti Evropian nesër pritet të votojë përbërjen e re të Komisionit Evropian, pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, të cilat janë mbajtur në qershor të këtij viti. Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, partitë opozitare por edhe njohës të integrimeve evropiane pritjet janë që përbërja e re e Komisionit Evropian të ketë qasje më pro-aktive dhe mbështetëse ndaj Kosovës.

Përbërjen e re të KE-së para euro-deputetëve do ta prezantojë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Lyen. Në krye të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së do të jetë ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kllas, ndërkaq komisionerja për zgjerim do të jetë, Marta Kos nga Sllovenia.

Të dyja zyrtaret e larta evropiane vijnë nga vende njohëse të pavarësisë së Kosovës. Ky fakt për shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është pozitive për vendin, duke krahasuar me shefin aktual të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Josep Borrell.

Ajo thotë për KosovaPress, se në bazë të dëgjimeve publike që dy zyrtaret kanë pasur në komisione të Parlamentit Evropian, qëndrimet e tyre janë në përputhje të plot edhe me qëndrimin e Kosovës.

Shefja e deputetëve të LVV-së, është optimiste se tashmë Komisioni Evropian do të lëviz përpara në drejtim të largimit të masave ndaj Kosovës. Sipas saj, është e domosdoshme që BE-ja, mos të ketë qasje të njëanshme në dialog dhe të mos ketë politika të pandëshkueshmërisë ndaj Serbisë.  

Po ashtu, ajo potencon nevojën që në kuadër të kësaj përbërje të Komisionit Evropian të shqyrtohet edhe aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, njëherësh kryetarja e Komisionit parlamentar për integrime evropiane, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress, se pret që shumë shpejtë pas votimit të Komisionit të ri Evropian të miratohet plani i zgjerimit të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, përbërja e re e Komisionit Evropian duhet të insistojë për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, mirëpo shton se edhe institucionet e Kosovës duhet të bëjnë punën e tyre drejt zbatimit të kërkesave të BE-së.

Optimist se Komisioni i ri Evropian do të ketë qasje pro-aktive ndaj Kosovës është edhe profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku.

Lexo po ashtu
Moti sot
Ai thotë për KosovaPress, se është lajm pozitiv për Kosovën së në krye të politikës së jashtme të BE-së, është ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

Sipas tij, kjo e vendosë Kosovën apriori në pozitë më të favorshme, krahasuar me mandatin paraprak, ku në krye të këtij dikasteri ka qenë Josep Borrell.

Komisioni i ri evropian do të ketë mandat pesëvjeçar. Institucionet kosovare, jo rrallë herë kanë adresuar kritika për Josep Borrell, mirëpo edhe komisionerin aktual për zgjerim, Oliver Verhelyi për qasje jo të drejt ndaj Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025