PDK: Zgjedhjet ishin të lira, por të pabarabarta; mosdalja në votim është mesazh kundër qeverisë
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
PDK: Zgjedhjet ishin të lira, por të pabarabarta; mosdalja në votim është mesazh kundër qeverisë
vlora-qitaku12
07/06/2026 - 22:28
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar se qeverisja e deritanishme e ka zhgënjyer elektoratin dhe se pjesëmarrja më e ulët në votime përbën mesazh politik për pushtetin.

Në konferencën për media të mbajtur pas publikimit të rezultateve preliminare, sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se qeverisja e kryeministrit Albin Kurti ka prodhuar zhgënjim të madh te qytetarët dhe ka shkaktuar kriza të vazhdueshme.

“Qeveria e Albin Kurtit prodhoi zhgënjim të madh te qytetarët dhe kriza të vazhdueshme. Kjo keqqeverisje rezultoi me një protestë zgjedhore, sepse mosdalja në zgjedhje e mbi 200 mijë votuesve tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm të qytetarëve. Gara ishte e pabarabartë dhe sikur të mos bënte blerje masive të votës me qindra mijëra premtime ndaj punonjësve shtetërorë, me miliona euro për biletat e diasporës dhe me keqpërdorim të resurseve shtetërore, ky njeri do të pësonte një humbje edhe më të thellë politike”, tha Çitaku.

Ajo kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për zhvillimin e një gare të pabarabartë zgjedhore, duke pretenduar se janë keqpërdorur resurset shtetërore dhe janë bërë premtime të shumta për punonjësit publikë dhe diasporën.

Sipas Çitakut, pavarësisht këtyre rrethanave, PDK-ja ka arritur ta ruajë dhe ta forcojë përfaqësimin e saj politik.

“Përkundër kësaj gare të pabarabartë, me blerje masive të votave përmes ndihmave dhe keqpërdorimit të resurseve shtetërore, PDK e rikonfirmoi pozicionin e saj përfaqësues me përqindje dhe me numër deputetësh. Është e lehtë të kuptohet se, mes këtyre krizave, ky pushtet i ka lodhur qytetarët dhe kjo mospjesëmarrje është mesazh politik që duhet të merret seriozisht, e posaçërisht nga ky pushtet abuziv.Ne do të presim rezultatet përfundimtare, do të presim numërimin e plotë të votave dhe më pas do t’i bëjmë publike qëndrimet tona.”, tha ajo.

Çitaku theksoi se partia do të presë përfundimin e numërimit të të gjitha votave para se të dalë me qëndrime përfundimtare politike.

Ajo shtoi se është thelbësore që çdo votë të numërohet me kujdes dhe integritet dhe të respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në orën 22:00, me 96 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 43.22 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.28 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.76 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.09 për qind.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026