Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda në një konferencë për media, folën për zhvillimet e fundit politike dhe situatën që po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, një krize të panevojshme politike dhe përplasjeve kushtetuese.
Tahiri theksoi se Kosova po shkon sërish drejt zgjedhjeve jo për shkak të mungesës së alternativave për zgjidhje, por për shkak të refuzimit të tyre nga shumica parlamentare, raporton KosovaPress.
Ai shtoi se të gjithë presidentët e deritanishëm të Kosovës janë zgjedhur si rezultat i marrëveshjeve ndërmjet partive politike dhe se kjo është hera e parë që Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin.
Tahiri theksoi se PDK ka vepruar me përgjegjësi gjatë gjithë këtij procesi. Ai tha se partia ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe ka marrë pjesë në takimet me kryeministrin Albin Kurti për të gjetur një zgjidhje.“Pra, alternativa kishte. Zgjidhje kishte. Mungoi vetëm vullneti politik i shumicës parlamentare. Ose, thënë më saktë: në Lëvizjen Vetëvendosje mbizotëroi etja dhe dëshira për pushtet dhe kontroll absolut”, u shpreh Tahiri.
Ai theksoi se për PDK-në ishte e papranueshme logjika e kontrollit absolut të institucioneve dhe se një qasje e tillë do t’i sillte dëme serioze vendit.
“PDK do t’u drejtohet qytetarëve me një program të qartë për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe qeverisje serioze. Kosova nuk ka nevojë për kriza të reja politike, Kosova ka nevojë për përgjegjësi”, përfundoi Tahiri.
Gruda theksoi se Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedhë Presidentin brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë dhe se, si rrjedhojë, shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese.
“Kuvendi i Kosovës ka konsumuar të drejtën e tij për të zgjedhur Presidentin brenda afatit kushtetues. Për pasojë, shpërndarja e tij dhe dekreti i Presidentes janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Gruda.
“Kompetenca për zgjedhjen e Presidentit nuk është diskrecionale, por një detyrim pozitiv kushtetues. Mosnisja e procedurës përbën një mosveprim kushtetues institucional që bllokon krijimin e një organi të shtetit”, deklaroi Gruda.
Sipas tij, interpretimi se Kuvendi mund të shmangë shpërndarjen duke mos e nisur fare procedurën e zgjedhjes së Presidentit është në kundërshtim me logjikën kushtetuese dhe me parimin e efektivitetit të Kushtetutës.
Gruda shtoi se interpretimi korrekt i Kushtetutës kërkon që afatet kushtetuese të mos neutralizohen përmes mosveprimit institucional.
“Dispozitat kushtetuese nuk mund të interpretohen në mënyrë që lejojnë neutralizimin e tyre përmes mosveprimit institucional. Përndryshe, do të krijohej mundësia e një bllokimi të përhershëm institucional”, theksoi Gruda.“Presidentja ka vepruar tërësisht në përputhje me Kushtetutën duke ushtruar kompetencat e saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe pritet që së shpejti të caktohet edhe data e zgjedhjeve”, përfundoi Gruda.