Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me mënyrën e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë nga Qeveria Kurti, duke numëruar mangësitë që ka dokumenti të cilin po e konsideron si më të rëndësishmin në hapjen e rrugës drejt konsolidimit të sektorit të sigurisë në vend. Nga PDK thanë se ky dokument tregon mungesën e të kuptuarit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në terma moderne përball një aparati kompleks kërcënimesh dhe rreziqesh, derisa ftuan qeverinë që të marrin parasysh rekomandimet e dhëna për këtë strategji.
Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, në një konferencë për media ka përshëndetur nismën e Qeverisë për këtë strategji, megjithatë tha se si PDK janë të shqetësuar me draftin aktual.
"Dokumentit i mungon vizioni dhe qartësia se ku do të shkojë në 10 vitet e ardhshme dhe si dokumenti tregon shenja të qarta të mungesës së memories institucionale dhe informacionit të përditësuar, gjë që nënkupton mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse të qeverisë ndaj procesit të hartimit dhe rrjedhimisht një mospërfillje të udhëzuesit për hartimin e dokumenteve strategjike", theksoi ajo.
Kabashi- Ramaj tha se ky dokument tregon një mungesë serioze njohurish mbi temat që mbulon, siç është siguria njerëzore, mungesa e të kuptuarit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në terma moderne përballë një aparati kompleks kërcënimesh dhe rreziqesh.
“Ky dokument tregon mungesën e të kuptuarit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në terma moderne përball një aparati kompleks kërcënimesh dhe rreziqesh që ka nevojë për një përgjigje po aq komplekse, kompetente dhe gjithëpërfshirëse e njëkohësisht me një qasje më koncize. Dokumenti ka përfshirë ide të painformuara apo jashtë procesit të rregullt, siç është rezerva e policisë... pse na duhet më shumë policë për frymë, pse diçka e tillë të jetë në strategji kombëtare të sigurisë e jo në strategjinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha ajo.
Sipas saj, financimi i këtij sektori duhet të planifikohet mirë dhe të jetë i qëndrueshëm, por asesi ekstra procedural siç ishte kërkesa e fondeve direkte nga qytetarët për fondin e sigurisë.
"Strategjia Kombëtare e Sigurisë nuk është një dokument që duhet përfunduar, e lënë në sirtar. Prandaj, një strategji pa vizion mbetet thjeshtë një dokument por jo një hartë që mund të zbatohet, duke forcuar sigurinë e Republikës së Kosovës. Ky është dokumenti më i rëndësishëm në hapjen e rrugës drejt konsolidimit të sektorit të sigurisë ne vend, dhe mbrojtjes së vendit e qytetarëve tanë. Qeveria aktuale duhet ta trajtojë me seriozitetin që e meriton. Në këtë aspekt, PDK fton qeverinë që të marrë parasysh rekomandimet e dhëna. PDK gjithashtu shprehë gatishmëri t'i vë në dispozicion të gjitha kapacitetet që ka në këtë fushë, për të arritur deri te një Strategji Kombëtare e cila realisht kontribuon në ngritjen e nivelit të sigurisë në vend dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë", shtoi Kabashi- Ramaj.
Për të korrigjuar problematikat që ka Strategjia Kombëtare e Sigurisë, PDK rekomandon që Qeveria bashkë me Zyrën për Planifikim Strategjik dhe Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë të rishikojnë të gjithë procesin e hartimit të këtij dokumenti; të bëjë një analizë të kujdesshme të implikimeve financiare; ta hartojë përsëri këtë strategji bazuar në informacionin e përditësuar mbi kërcënimet dhe rreziqet që mund t'i vijnë Kosovës; si dhe të krijojë një plan strategjik komunikimi.