PDK kërkon hetim urgjent për skandalet e Qeverisë Kurti
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë sot thirrje për hetimin e skandaleve të korrupsionit në Qeverinë Kurti, përfshirë aferën me ambalazhuesit e ujit, tregtimin me energji dhe komunikimin e shefes së Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila me kryekriminelin serb, Milan Radoiçiq.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se dëshmitë e publikuara që konfirmojnë përfshirjen e zyrtarëve të shumtë shtetërorë në afera të mëdha keqpërdorimesh dhe skandale të tjera, janë alarmante dhe kërkojnë adresim nga institucionet përkatëse.
Ai tha se këto ngjarje shqetësuese jo vetëm që minojnë sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, por edhe dëmtojnë besueshmërinë në institucione dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Në mbledhje u diskutua edhe për censurën nga Radio Televizioni Publik i Kosovës, i cili pas shumë skandaleve të brendshme nga menaxhmenti dhe Bordi, të emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, sot ka ndaluar transmetimin e seancës parlamentare të iniciuar nga Grupi parlamentar i PDK-së.
Po ashtu, anëtarët e Kryesisë theksuan se gjatë gjithë mandatit të qeverisë aktuale, veçanërisht në javën e kaluar, rritja e numrit të skandaleve ka ekspozuar një mentalitet të rrënjosur në korrupsion të thellë dhe shpërdorim të pushtetit nga zyrtarët shtetërorë, të gjitha në dëm të Kosovës dhe qytetarëve tanë.
Afera me ambalazhuesit e ujit zbuloi se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës mbi 11 milionë euro.
Publikimi i mesazheve të Dejona Mihalit me kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqi, konfirmoi dy skandale të mëdha të pushtetit aktual: konfirmuan se miku i kryeministrit Albin Kurti, ambasadori Martin Berishaj, ashtu siç ishte paralajmëruar dy vite më parë, është i përfshirë në tregtimin e energjisë elektrike. Konfirmuan edhe përzierjen direkte të Qeverisë në çdo institucion publik nëpërmjet komisares Dejona Mihali, thuhet në komunikatën për media të PDK-së.
Skandali tjetër i komunikimit të shefes së Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila me kryekriminelin serb, Milan Radoiçiq, dëshmoi po ashtu, përfshirjen direkte të pushtetit për t’i lënë veteranët e UÇK-së jashtë ligjit për pagën minimale dhe përpjekjet për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
PDK kërkon nga institucionet përkatëse hetimore dhe gjyqësore që urgjentisht, profesionalisht dhe në mënyrë të paanshme të trajtojnë këto raste, të cilat rikonfirmojnë korrupsionin e përhapur qeveritar, keqpërdorimin e detyrave zyrtare dhe dëmtimin e interesave shtetërore të Kosovës.
PDK njëherësh fton qytetarët që në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ta mbajnë përgjegjëse qeverinë Kurti për skandalet e shkaktuara, duke thënë se është koha për vendit të ketë një qeveri të re, të besueshme, profesionale dhe të dëshmuar për t'u shërbyer shtetit dhe qytetarëve.