PDK fut në listë për deputetë dy ish udhëheqës të UÇK-së, Miftar Kurtin dhe Skender Hoxhën
3-Third
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
PDK fut në listë për deputetë dy ish udhëheqës të UÇK-së, Miftar Kurtin dhe Skender Hoxhën
12/05/2026 - 15:15
Linku u kopjua
Miftar Kurti, njëri nga pjesëtarët dhe udhëheqësit e UÇK-së në Zonën e Shalës së Bajgores i është bashkuar PDK-së dhe pritet të jetë kandidat i këtij subjekti politik për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.
Lajmin për këtë e ka kumtuar kryetari Bedri Hamza, përmes një postimi në Facebook, duke thënë se Miftar Kurti është intelektual që i ka shërbyer vendit në luftë dhe në paqe.
“Sot i urova mirëseardhje në listën tonë të kandidatëve për deputetë Prof. ass. dr. Miftar Kurtit – profesor, studiues, shkrimtar dhe luftëtar të UÇK-së. Me kontribut në arsim, kulturë, histori dhe shtetndërtim, ai përfaqëson figurën e intelektualit të angazhuar që i ka shërbyer Kosovës në kohë lufte dhe paqe. Kosova ka nevojë për njerëz me dije, përvojë dhe integritet”, është shprehur Hamza.
Kurti ka shërbyer si ndihmës komandant i Njësisë Speciale të Brigadës 141 “Mehë Uka” të UÇK-së në Zonën Operative të Shalës. Me të përfunduar të luftës ka qenë edhe pjesëtar i TMK-së me gradën major, në zonën e Katërt Mbrojtëse.
Më pastaj ka punuar si drejtor biblioteke në Mitrovicë dhe asistent profesor në Fakultetin e Edukimit.
Prej para tetë vjetëve, Kurti punon si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë së Kosovës.
Është autor i tetë librave me tematika nga historia, letërsia dhe publicistika.
Pos Kurtit, PDK ka bërë me dije se kësaj partie i është bashkuar edhe koloneli Skender Hoxha dhe se i njëjti do të jeë, po ashtu, kandidat për deputet.
“I urova mirëseardhje në listën tonë të kandidatëve për deputetë edhe Kolonel Skender Hoxhës, ish-komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, ish-atashe ushtarak i Kosovës në Zagreb dhe Komandant i Gardës Kombëtare. Me dekada shërbim për vendin, ai ka qenë pjesë e rrugëtimit të Kosovës nga lufta çlirimtare deri te ndërtimi dhe forcimi i institucioneve të sigurisë së shtetit tonë. Për kontributin e tij është nderuar edhe me Medaljen e Karrierës”, ka shkruar Hamza në Facebook.
/Kosovapress/