Drejtori i Instituti Octopus, Arben Fetoshi, ka ngritur shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, duke i cilësuar ato si kërcënim serioz për demokracinë, stabilitetin institucional dhe të drejtat politike të komunitetit serb në Kosovë.
Në një analizë të titulluar “STOP BEOGRADIT”, Fetoshi thekson se Serbia vazhdon të përdorë mekanizma politikë, informativë dhe të sigurisë për të kontrolluar votën serbe në Kosovë dhe për të penguar pluralizmin politik brenda këtij komuniteti.
Shkrimi i plotë i Fetoshit:
Serbia vazhdon ndërhyrjet malinje në Kosovë, veçanërisht ndaj proceseve zgjedhore, duke cenuar jo vetëm rendin kushtetues dhe stabilitetin institucional, por më së shumti vetë komunitetin serb, përkatësisht të drejtën e qytetarëve serbë për zgjedhje dhe përfaqësim të lirë politik.
Republika e Kosovës iu ka garantuar atyre të drejta të zgjeruara dhe përfaqësim në Parlament e në institucione të tjera qendrore, por ajo duhet të kujdeset po ashtu që mandatet e rezervuara të përfaqësojnë vullnetin dhe interesat kosovare të qytetarëve serbë, jo urdhërat politikë të Beogradit apo interesat e strukturave kriminale të lidhura me të.
Në prapaskenë, mekanizmat shtetërorë e joshtetërorë serbë veprojnë me intensitet të lartë për kontrollin e votës serbe, presionin ndaj kundërshtarëve politikë dhe sabotimin e pluralizmit te ky komunitet, si goditje ndaj demokracisë në Kosovë.
Për shkak të kontrollit politik mbi 10 mandatet e garantuara në Parlament, Kosova, jo vetëm që përballet me vështirësi në formimin e institucioneve, por edhe me bllokim të funksionimit apo të nismave të rëndësishme legjislative.
Ndërhyrja serbe në zgjedhjet e Kosovës ka një histori të gjatë e të dhunshme. Në vitin 2013, strukturat kriminale dhe shtetërore serbe vranë kandidatin e SLS-së për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Dimitrije Janiçijeviq. Në vitin 2018, u vra po ashtu Oliver Ivanoviq, një nga figurat më të njohura opozitare ndaj Listës Serbe. Në vitin 2019, SLS-ja e pezulloi aktivitetin politik për shkak të mungesës së kushteve minimale për zgjedhje të lira dhe konkurrencë demokratike brenda komunitetit serb.
Nga një perspektivë më e gjerë politike, regjimi në Beograd e kalkulon destabilizimin e Kosovës edhe për ruajtjen e pushtetit të brendshëm në Serbi. Fushatat e dezinformimit e krizat e fabrikuara rreth Kosovës përdoren si instrumente mobilizimi nacionalist dhe si mekanizma për legjitimimin e Aleksandar Vuçiqit, i cili synon të mbetet njëkohësisht “faktor stabiliteti” për Perëndimin dhe partner i privilegjuar për Rusinë e Kinën.
Prandaj, neutralizimi apo të paktën reduktimi i hapësirës për ndërhyrjen e Serbisë në proceset zgjedhore të Kosovës, nuk është vetëm detyrë në shërbim të interesit të vendit, por edhe një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e vlerave fundamentale europiane.