Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Spiropali bëri të ditur se gjatë takimit është theksuar bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve dhe mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Spiropali ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke theksuar se, pas vendimit për heqjen e masave kufizuese ndaj Kosovës, është momenti që Bashkimi Evropian të veprojë pa vonesë për t’i dhënë vendit statusin e vendit kandidat.
“Rikonfirmova mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës. Pas vendimit per heqjen e masave kufizuese, është momenti që BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën. Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen aktive për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të vijojë angazhimin diplomatik për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin drejt BE-së e NATO-s”, ka shkruar ajo.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, gjatë qëndrimit në Kosovë të mërkurën, paralajmëroi intensifikim të lobit shqiptar për njohje të reja për Kosovën, derisa i kërkoi Bashkimit Evropian t’i japë statusin Kosovës për anëtarësim në union. Ajo, pas takimit me homologun e saj nga Kosova, Glauk Konjufca, paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të rikthehen mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive, pas katër vitesh pauzë.