Pas manipulimit të votave, KQZ me mekanizëm për kontrollin e fletëvotimeve
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Pas manipulimit të votave, KQZ me mekanizëm për kontrollin e fletëvotimeve
votimi
28/04/2026 - 11:02
Linku u kopjua

Deri në 10% të vendvotimeve do të rinumërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që ato mbahen, për t’u siguruar që numëruesit e votave kanë evidentuar me saktësi rezultatin e fletëvotimeve.

Ky mekanizëm kontrolli është miratuar me urgjencë dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dy ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, dështimi i të cilit do të çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor,  procesi zgjedhor u ballafaquar me parregullësi në numërim të votave të kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress, se mekanizmi i kontrollit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë është ideuar për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit.

“Për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë masa konkrete përmes përmirësimit të kornizës rregullative. Në akte nënligjore është paraparë një mekanizëm shtesë kontrolli i procesit të numërimit të fletëvotimeve. Konkretisht, është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë rinumërimin e votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme”, tha Elezi.

Sipas Elezit, parashikimi i rinumërimit të një përqindjeje të caktuar të vendvotimeve, ka për qëllim të shtojë kujdesin e KQZ-së në rezultatet e zgjedhjeve.

Siç potencoi ai dëmtimi i kredibilitetit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, e ka bërë të domosdoshëm një mekanizëm të tillë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi sqaroi se mekanizmi për numërimin e 10% të vendvotimeve tashmë është në fuqi dhe do të zbatohet nga procesi i ardhshëm zgjedhor.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, KQZ kishte zbuluar disa raste të mosevidentimit të saktë të votave të kandidatëve për deputetë dhe këto dyshime çuan në vendimin për rinumërimin e 2,557 vendvotimeve.

Gjatë rinumërimit që u bë me qëllim të korrektimit të rezultateve, mijëra vota u janë larguar kandidatëve të caktuar dhe mijëra të tjera u janë shtuar kandidatëve të tjerë, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në Qendra Komunale të Numërimit.

Ndërsa, edhe një numër i madh i komisionerëve dhe pjesëtarëve të tjerë u intervistuan edhe ndaluan nga organet përgjegjëse.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026