Pas arrestimeve në Serbi, në këtë rast të komunitetit akademik, rektori i Universitetit të Beogradit, Vladan Gjokiq ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të Bashkimit Evropian.
Rektori Gjokiq, ka lëshuar një deklaratë urgjente drejtuar Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës, universiteteve evropiane e ndërkombëtare dhe mediave të huaja, ku denoncon atë që e quan “përshkallëzim sistematik” të presionit shtetëror ndaj komunitetit akademik në Serbi, transmeton KosovaPress.
Deklarata vjen vetëm disa ditë pas bastisjes policore në Rektoratin e Universitetit të Beogradit më 31 mars, kur, sipas raportimeve mediatike, oficerë të Drejtorisë së Policisë Kriminale hynë në godinë si pjesë e një hetimi për vdekjen e një studenteje të Fakultetit Filozofik. Ngjarja shkaktoi reagime të forta në opinionin publik dhe protesta të studentëve, profesorëve dhe qytetarëve në qendër të Beogradit.
Më vonë, po atë ditë, protesta para Rektoratit u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë. Media të ndryshme raportuan se forcat e rendit përdorën forcë ndaj protestuesve, ndërsa rektori Gjokiq e quajti aksionin policor në universitet të pajustifikuar ligjërisht.Rektori argumenton se për rreth 15 muaj studentët në Serbi kanë protestuar në mënyrë paqësore, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad, ku nga shembja e tendës në stacionin hekurudhor humbën jetën 16 persona. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se kjo tragjedi u bë pikënisje e një vale të gjatë protestash antiqeveritare në Serbi.
Në fund të deklaratës, Universiteti i Beogradit u bën thirrje institucioneve evropiane të reagojnë urgjentisht: Komisionit Evropian dhe komisioneres për zgjerim Marta Kos që të dënojnë publikisht arrestimet, Parlamentit Evropian të hapë debat urgjent për liritë akademike dhe civile në Serbi, Këshillit të Evropës të dërgojë mision monitorimi, universiteteve evropiane të shprehin solidaritet, ndërsa mediave ndërkombëtare të dokumentojnë zhvillimet në Beograd. Marta Kos aktualisht mban postin e Komisioneres Evropiane për Zgjerimin.