Partitë politike në javën e tretë të fushatës, çka u tha e çka “u harrua”
Lajme
Lexohet për: 3 min.
zgjedhjet-2025-1
1 javë më parë
Linku u kopjua

Fushatat zgjedhore në Kosovë, tradicionalisht, karakterizohen me akuza që politikanët i bëjnë njëri-tjetrit. As kjo për zgjedhjet e 9 shkurtit, e cila nisi më 11 janar, nuk po zhvillohet ndryshe.

Kandidatët për kryeministër qysh në fillim të fushatës, gjatë tubimeve nëpër komuna të ndryshme, u përqendruan në kritika e akuza.

Për të udhëhequr Qeverinë e Kosovës në 4 vitet e ardhshme, në garë për kryeministër janë Albin Kurti – kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër aktual, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku – kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj – kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Të gjithë këta, dikush më shumë e dikush më pak, nuk kursyen akuza për kundërshtarët politikë.

Çka po vërehet në vazhdimësi? Ashpërsimi i gjuhës.

Disa ditë pas fillimisht zyrtarisht të fushatës zgjedhore, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se është vërejtur gjuhë nxitëse dhe e urrejtjes.

Nga monitorimi i DnV-së del se më së shumti gjuhë të tillë ka përdorur Lëvizja Vetëvendosje - parti në pushtet, por edhe subjektet e tjera.

Sipas rrjetit të organizatave joqeveritare, përdorimi i gjuhës nxitëse apo të urrejtjes është rritur në javën e dytë të fushatës.

Gjobat e para u shqiptuan pa u bërë një javë fushatë zgjedhore, shkruan KosovaPress.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjobiti subjektet politike për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.

Gjobat në total, deri më tash, kanë tejkaluar shifrën prej 155 mijë euro, dhe përveç përdorimit të gjuhës, arsyet janë edhe përdorimi i resurseve publike si dhe vendosja e posterëve në vende ku nuk është e lejuar.

Por çka tjetër po dëgjojnë qytetarët, përveç gjuhës polarizuese?

Arsimi, ekonomia, shëndetësia, siguria… këta janë sektorët më të përmendur gjatë tubimeve zgjedhore.

Siguria nacionale dhe veriu i vendit, karakterizuan fjalimet e kryeministrit Albin Kurti.

Kurti tha se gjatë këtij mandati 4-vjeçar, qeveria e drejtuar nga ai ka arritur të shtrijë sovranitetin në veri të vendit.

Pas dy javë fushatë, Kurti ndau një video me zotimet e tij, ndër të cilat tha se në katër vitet e ardhshme do të ndajnë buxhet mbi 1 miliardë euro për ushtrinë. Gjithashtu premtoi zhvillimin e dronëve ushtarakë ‘Made in Kosova’.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza premtoi, mes tjerash, gjashtë miliardë euro investime kapitale si dhe rritje të pagave prej 50% në sektorin publik.

Rritje të pagave me koeficient 150 për të gjithë punëtorët e shtetit, premtoi Lumir Abdixhiku i LDK-së.

Ai ndër të tjera, u zotua për 5 miliardë euro investime, me 5% rritje ekonomike.

Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj premtoi anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Fushata zgjedhore do të zgjasë edhe dy javë, ndërkaq, qytetarët e Kosovës votojnë më 9 shkurt - në zgjedhjet e para të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025