Bislimi: Serbia po tenton ta bllokojë funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Bislimi: Opozita kërkon të bëhet pengesë e anëtarësimit të Kosovës në SEPA
2 orë më parë
Linku u kopjua

Serbia po vazhdon përpjekjet për të penguar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke tentuar të bllokojë funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh).

Ky bllokim, sipas Bislimit, po bëhet përmes refuzimit të regjistrimit të kryetarit të ri të KKSh-së, Enkel Rexhepit, një veprim që konsiderohet si ndërhyrje politike dhe shkelje e të drejtave të shqiptarëve nga Serbia.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Serbia përsëri po tenton bllokimin e përkrahjes së qeverisë sonë ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, e tashmë edhe po bllokon funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar përmes refuzimit të regjistrimit të kryetarit të ri.

Sipas Bislimit, të dyja këto janë ndërhyrje politike, shkelje e të drejtave të shqiptarëve dhe shfaqje haptazi e diskriminimit të regjimit serb ndaj shqiptarëve.

“Këto veprime të shtetit serb nuk janë të izoluara, por pjesë e një strategjie të vazhdueshme për të diskriminuar shqiptarët e Luginës, për të bllokuar zhvillimin e tyre ekonomik dhe për të minuar institucionet e tyre legjitime”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, ndihma e Kosovës për shqiptarët e Luginës është legjitime gjersa fondet përveçse janë transparente, përbëjnë dhe mbështetje të drejtë e të nevojshme.

Derisa ka shtuar se bllokada ndaj funksionimit të KKSh-së, është veprim që nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është një ndërhyrje politike me qëllim që Këshilli të mbetet jofunksional dhe i pafuqishëm për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

“Kjo është një përpjekje e hapur për të kontrolluar institucionet shqiptare dhe për të shuar çdo zë të pavarur që kundërshton politikat diskriminuese të Serbisë. Serbia dëshiron që shqiptarët të mos kenë zë dhe përfaqësim. Nuk do të qëndrojmë indiferentë përballë këtyre shkeljeve”, shkruan ai.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të ndalë së përkrahuri shqiptarët e Luginës, pavarësisht pengesave nga ana e Serbisë, por përkundrazi do e rrisim mbështetjen vit për vit, ashtu siç edhe kemi bërë gjatë këtij mandati.

Gjithashtu sipas tij edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë vigjilent ndaj këtyre zhvillimeve, e tentativave të radhës për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga regjimi shtypës serb.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025