Partitë opozitare optimiste se do ta formojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës do të nisë të enjten me një seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me çmimet e energjisë elektrike, të iniciuar nga PDK-ja dhe përkrahur edhe nga dy partitë të tjera opozitare, LDK dhe AAK. Partitë opozitare përmes rezolutës do të kërkojnë zbritjen e çmimit të rrymës dhe largimin e bllok-tarifës. Krahas kësaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, opozitarët shprehën gatishmërinë për shkuarjen në zgjedhje të reja, derisa nënvizuan se të njëjtat do të krijojnë qeverinë e ardhshme dhe jo partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se pas stabilizimit të çmimit të energjisë nivel global duhet të ketë reflektim edhe në Kosovë, duke zbritur çmimin e energjisë dhe largimin e bllok-tarifave.

Fillimin e sesionit pranveror të Kuvendit me seancë të jashtëzakonshme e konsideroi si jo të mbarë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se legjislativi do të duhej të fillonte me një seancë të rregullt dhe me agjendën legjislative.

Ajo akuzoi PDK-në, e cila sipas saj po tenton të krijojë situata të jashtëzakonshme për të mos lejuar rrjedhën normale të punës në Kuvend.

Mirëpo kritik ndaj mazhorancës për bllokim të punës në Kuvend u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se LVV-ja po pengon funksionimin e rregullt të Komisionit hetimor për rezervat shtetërore.

Në anën tjetër, duke shprehur gatishmërinë për zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partitë opozitare do të krijojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme dhe jo partia e tanishme në pushtet, LVV-ja.

Me bindje të njëjtë u shpreh edhe kolegu i tij opozitar nga LDK-ja, Arben Gashi.

Të gatshëm për zgjedhje u shprehën edhe AAK-ja, ku thanë se Lëvizja  Vetëvendosje nuk do t’i fitojë kurrë më 50 për qind të votave.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se qeveria dhe Kuvendi në vitin e fundit të mandatit qeverisës janë të përkushtuar për të kryer sa më shumë deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare./KosovaPress/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024