Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në pritje të ftesës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrit Albin Kurti, për nisjen e konsultimeve lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ani pse Kurti ka shtatë ditë që kishte paralajmëruar nisjen e konsultimeve me partitë parlamentare për zgjedhjen e shefit të shtetit, në këto dy parti thonë se deri tani nuk ka pasur takime formale mes subjekteve politike. Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë treguar se kur Kurti do t’i ftojë partitë për konsultime.
Presidentja Osmani është e vetmja deri tani që ka shfaqur ambicie për të rikandiduar edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar, megjithatë e njëjta nuk ka siguruar 30 nënshkrime të deputetëve për të zyrtarizuar kandidaturën e saj.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, thotë për KosovaPress, se subjekti i tij do të marrë pjesë në çdo takim që thirret për çështjen e presidentit, por ka theksuar se zgjedhja duhet të vijë si rezultat i një marrëveshjeje politike.
Në pritje të një ftese zyrtare janë edhe në LDK. Deputeti Armend Zemaj ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit u takon të gjitha subjekteve parlamentare, por mënyra e arritjes së konsensusit duhet të jetë produkt i negociatave politike. Ai ka konfirmuar se brenda LDK-së ende nuk ka një vendim për kandidat, përfshirë edhe Vjosa Osmanin.
Ndërkohë, politologu Melazim Koci vlerëson se vonesa në nisjen e konsultimeve mund të reflektojë në vështirësi gjatë procesit. Ai nuk përjashton mundësinë që zgjedhja e presidentit të shndërrohet në pikë përplasjeje politike, madje as skenarin e zgjedhjeve të parakohshme në rast të mungesës së konsensusit.