Partitë e vogla kërcënojnë me dalje nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut
Lexohet për: 3 min.
Kuvendi_23-780x470-1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Qeveria e kryeministrit Dimitar Kovaçevski mund të humbë shumicën në Kuvend, rrjedhimisht Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Disa parti të vogla që janë pjesë e koalicionit qeveritar, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), kanë paralajmëruar mundësinë që deputetët e tyre të largohen nga shumica parlamentare nëse nuk përmbushen disa kërkesa të tyre lidhur me modelin zgjedhor dhe disa zgjidhje ligjore që i kanë në programet e tyre partiake.

Shumicën parlamentare e përbëjnë 65 deputetë, sipas Kovaçevskit, apo vetëm katër më shumë se numri i nevojshëm prej 61 deputetëve nga gjithsej 120 sa ka Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Pjesë e koalicionit me LSDM-së, veç tjerash, janë Ripërtëritje Demokratike, Partia "Dinjiteti", Lidhja Demokratike, si dhe disa parti tjera që kanë nga një deputet, por duke marrë parasysh faktin se shumica nuk është stabile për shkak të numrit të votave, mund të ndodhë që largimi i tyre të shkaktoj krizë qeveritare.

Partitë e vogla ka kohë që kërkojnë ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore, me lista të hapura dhe pa prag zgjedhor. Pas Lidhjes Demokratike, edhe Ripërtëritja Demokratike, ka thënë se mund të largohet nga Qeveria nëse së shpejti kjo kërkesë nuk miratohet në Kuvend, shkruan REL.

Në zgjedhjet e vitit 2020, LSDM-ja në koalicion me partitë tjera ka fituar 46 vende të deputetëve ndërsa pas largimit të Lëvizjes Besa ka mbetur 42, numër që mund të tkurret edhe më tej nëse partitë tjera marrin vendim për t'u larguar.

Por, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se ndjehet “komod” në drejtimin e Qeverisë pasi beson se i ka votat e mjaftueshme për drejtimin e ekzekutivit.

Koalicioni është stabil, ai numëron 65 deputetë. Është normale që në kuadër të koalicionit të ketë parti me qëndrime të caktuara apo kërkesa të cilat ideologjikisht apo në një formë tjetër dallohen nga ato të partive tjera, por për shtyllat kryesore të qeverisjes të gjitha kemi pikëpamje të njëjta”, ka deklaruar ai.

Kërkesa e partive të vogla është mirëpritur nga opozita maqedonase që kryesohet nga VMRO DPMNE, e cila në vazhdimësi kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke e akuzuar Qeverinë për paaftësi në drejtimin me vendin.

Zhvillimet e këtilla vijnë në kohën kur Maqedonia e Veriut ndodhet para ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si kusht i domosdoshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evopian.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Maqedoninë e Veriut duhet të mbahen në vitin 2024, së bashku me zgjedhjet presidenciale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024