Parku Industrial në Gjilan hyn në fazën e projektimit përfundimtar
Biznes
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Parku Industrial në Gjilan hyn në fazën e projektimit përfundimtar
MINTII
13/07/2026 - 15:16
Linku u kopjua

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në konsultimin publik me rreth 50 biznese të Gjilanit, duke shënuar hapin e dytë në procesin e ndërtimit të Parkut Industrial në këtë komunë, më shumë se një muaj pas bartjes së pronës nga Komuna e Gjilanit në pronësi të Ministrisë për realizimin e këtij projekti.

Sipas njoftimit, qëllimi i takimit ishte dëgjimi i rekomandimeve dhe nevojave të komunitetit të biznesit në fazën e projektimit të Parkut Industrial, me synim që ky projekt zhvillimor të reflektojë kërkesat reale të ndërmarrësve dhe të ndërtohet në partneritet të ngushtë me ta.

Së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ministrja Kusari-Lila prezantoi potencialin që Parku Industrial pritet të ketë për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe për krijimin e kushteve më të favorshme për investime dhe zhvillim industrial.

“Gjatë takimit u bë e ditur se studimi i fizibilitetit për projektin tashmë është përfunduar nga Komuna e Gjilanit, ndërsa faza e radhës është hartimi i projektit përfundimtar. Parku Industrial do të shtrihet në një sipërfaqe prej 150 hektarësh, duke u renditur ndër zonat industriale më të mëdha në Kosovë dhe duke krijuar mundësi të reja për tërheqjen e investitorëve strategjikë dhe zhvillimin e sektorëve industrial”, thuhet në njoftim.

Sipas konceptit të projektit, Parku Industrial do të ndërtohet mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë së gjelbër, me furnizim me energji të pastër përmes paneleve solare dhe energjisë së erës, si dhe me integrimin e elementeve të ekonomisë qarkore dhe ripërdorimit të materialeve në procese të ndryshme industriale. Brenda parkut parashihet edhe organizimi i sektorëve prodhues sipas veprimtarive të njëjta ose të ngjashme.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se ky konsultim publik përfaqëson fazën e dytë të bashkëpunimit ndërmjet MINTI-t dhe Komunës së Gjilanit, me synimin që vizioni për Parkun Industrial të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit.

Parku Industrial do të ndërtohet në fshatin Lipovç i Epërm, pranë magjistrales Prishtinë–Gjilan, një lokacion me pozitë strategjike që pritet të krijojë vende të reja pune, të promovojë produktet vendore dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të rajonit të Gjilanit.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026