Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Qeveria subvencionim më të madh për sektorin e bujqësisë, me theks të veçantë për prodhimin vendor të qumështit.
Përmes një postimi publik, Bajrami duke iu referuar konferencës së sotme të ministrit në detyrë të Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural Armend Muja, ka deklaruar se sektori i bujqësisë nuk ndihmohet me “ligjërata”, por me politika konkrete mbështetëse për fermerët dhe industrinë vendore.
Sipas saj, dallimi në çmim mes qumështit vendor dhe atij të importuar duhet të jetë deri në 20 cent për litër, pasi në këtë mënyrë konsumatorët do të orientoheshin më shumë drejt produkteve vendore.
Bajrami tha se masa të tilla duhet të vazhdojnë deri në konsolidimin e sektorit, duke shtuar se e njëjta qasje duhet të zbatohet edhe për produkte të tjera vendore.Pwrndryshe, mbi 100 fermerë nga Lipjani, Komorani, Drenasi dhe Skenderaj kanë protestuar duke hedhur qumështin në lumë, pasi sipas tyre, kompanitë grumbulluese ua kanë ulur çmimin e qumështit.
Fermerët thonë se çmimi është zbritur nga 45 cent në rreth 27-30 cent për litër, gjë që sipas tyre po ua vështirëson mbijetesën dhe mbulimin e shpenzimeve të prodhimit.