Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik në Kosovë, Balla: Një tjetër njollë turpi e neveritshme
“Një tjetër njollë turpi të neveritshme”, e ka cilësuar shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Shqipëri, Taulant Balla, deklratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
“Ne shqiptarët kemi një shprehje për ujkun, por anglezët kanë një shprehje të ngjashme: ‘Leopardi nuk mund t’i ndryshojë njollat e tij’. Kjo deklaratë e një ministri serb është një tjetër njollë turpi të neveritshme”, ka shkruar Balla në Facebook, transmeton KosovaPress.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagime edhe në Kosovë, në BE dhe në Serbi.
Ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, ka reaguar duke e krahasuar atë me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, dhe duke thënë se çdo tentativë për spastrim etnik në Kosovë do të kishte të njëjtin përfundim.
Ai ka theksuar se përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike është e njohur.
“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë... Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Lexo edhe:
https://kosovapress.com/article?id=742646
Sipas tij, kushdo që bën thirrje për spastrim etnik nuk përbën vetëm kërcënim për Kosovën, por dëshmon se Serbia ende nuk është shkëputur nga, siç e quan ai, "ideologjia gjenocidale e Millosheviqit" dhe nga politika që solli luftëra, masakra dhe "turp historik".
"Sot Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton", ka deklaruar Hoti.
Reagim pati edhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL), i cili theksoi se deklarata e ministres serbe rikthen në vëmendje diskursin që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë.
Sipas IKKL-së, krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 janë trajtuar në procese gjyqësore ndërkombëtare, ku zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të regjimit të Millosheviqit janë shpallur fajtorë. Instituti vlerëson se përballja me të kaluarën, pranimi i krimeve dhe kërkimfalja institucionale mbeten parakushte për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon.
Ndërkaq opozita serbe ka kërkuar shkarkimin e Paunoviqit nga detyra e ministres.
Ishte Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), parti opozitare në Serbi, që kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të saj, duke e cilësuar deklaratën e saj si gjuhë të urrejtjes dhe një mbështetje të hapur për persekutimin mbi baza etnike.
Sipas kësaj partie, një zyrtare që justifikon dëbimin e njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare nuk mund të ushtrojë funksion në Qeverinë e Serbisë. PSG vlerëson se deklarata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se vjen nga ministrja përgjegjëse për administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, institucion që duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve.
/Kosovapress/