Punimet në Parkun e Erës në Zatriq të komunës së Rahovecit po shkojnë drejt përfundimit, me projektin që pritet të vihet në funksion gjatë korrikut të këtij viti. Ky investim i përbashkët nga “Çalık Reneëables dhe Eurokos”, me vlerë rreth 110 milionë euro, synon të rrisë ndjeshëm kapacitetin e prodhimit të energjisë së pastër në Kosovë, raporton KosovaPress.
Projekti ka një kapacitet të instaluar prej 70 megavatësh dhe pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji elektrike në vit, duke mbuluar nevojat e afro 45 mijë familjeve. Parku përbëhet nga 12 turbina me erë, secila me kapacitet prej 6.1 MW, me lartësi të boshtit 120 metra dhe lartësi totale deri në 199 metra. Në kulmin e punimeve, projekti ka angazhuar rreth 175 punëtorë, shumica prej tyre vendorë.
“Jemi këtu që t’i vizitojmë punimet në parkun e erë s në Zatriq të komunës së Rahovecit i cili pritet të përfundojë në korrik sivjet. Ky investim prej 110 milionë euro nga “Çalık Reneëables” nga Turqia dhe Eurokosi nga Kosova, i shton Kosovës një kapacitet të ri prej 7 mgv, për prodhimin e energjisë elektrike nga era. Pra një turbinë përafërsisht rreth 6 mgv, me që rast i kemi 12 të tilla gjithsej. Parku pritet të prodhojë 185 gigavat orë energji elektrike në vit, që mbulon konsumin e 45 mijë familjeve kosovare me energji të pastër”, tha Kurti.
Ai shtoi se projekte të tilla dëshmojnë përmirësimin e klimës së investimeve në vend dhe krijimin e kushteve të favorshme për investitorët e huaj në sektorin e energjisë së ripërtërishme.“Ne para vjeshtës së këtij viti, kur fillon të ftohet moti dhe të ngrihet kërkesa për energji elektrike, do të kemi 70 megavatë të reja në sistemin tonë elektroenergjetik, të cilat siç tha kryeministri shtohen rreth 185 gigavat orë, ndërsa për të folur me shifra për ata që nuk janë aq shumë në sektorin e energjisë, mirëpo ju intereson më shumë diçka tjetër, kjo do të thotë më shumë siguri e furnizimit brenda Kosovës, kjo do të thotë zëvendësim i importit në vlerë prej më shumë se 27 milionë euro në baza vjetore dhe do të thotë që energjia që e konsumojmë është më e pastër, është një kontribut pra i çmueshëm për sektorin tonë elektroenergjetik, mirëpo për të siguruar që gjithashtu edhe ndotja ulet, edhe përballueshmëria e çmimeve mbahet”, tha Rizvanolli.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i “Çalık Reneëables”, Emre Erdogan, theksoi rëndësinë strategjike të energjisë për zhvillimin ekonomik dhe partneritetet afatgjata.
“Ne kemi 12 turbina me erë, secila me kapacitet prej 6.1 megavatësh, me lartësi të boshtit (hub) prej 120 metrash dhe lartësi maksimale prej 199 metrash. Deri më tani kemi realizuar afërsisht 1 milion metra kub punime të dheut, si dhe rreth 13,000 metra kub punime betoni për instalimet mekanike, instalimin e kullave dhe punimet në nënstacion. Kemi rreth 12 kilometra rrugë të brendshme, si dhe disa modifikime në punimet që do të vijojnë në lokacion. Turbinat tona vijnë kryesisht nga Spanja dhe Gjermania, ku edhe po zhvillohet prodhimi, transportohen me rrugë detare deri në portin shqiptar të Durrësit, dhe prej aty deri këtu, rreth 250 kilometra. Deri më tani janë realizuar më shumë se 150 transporte tokësore me kamionë.” tha Deminder.