Çlirim Iseni, student dhe një nga organizatorët e protestës së paralajmëruar për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar pas pamjeve që tregojnë një paradë të një formacioni të policisë speciale në lagjet urbane të Kumanovës, vetëm dy ditë para protestës së planifikuar për të hënën.
Në pamjet e bëra virale, shihen forcat speciale maqedonase teksa kryejnë stërvitjen në rrugë dhe thërrasin: “Këtu ka vetëm Maqedoni, le ta mësojnë të gjithë”.
“Dy ditë para protestës së studentëve shqiptarë për gjuhën shqipe, një tog i policisë speciale të RMV-së parakalon me brohoritje nacionaliste nëpër Kumanovë. Pyetja që lind është nëse kjo është një rastësi apo një paralajmërim. Përgjigjja jonë është e qartë: ne do të vazhdojmë çdo formë paqësore dhe demokratike për realizimin e së drejtës sonë legjitime – Gjuha shqipe zyrtare”, shkroi Iseni.
Ai rikujtoi historinë e lëvizjeve studentore gjatë periudhës jugosllave, duke theksuar se çdo tentativë për shtypje e bënte kauzën më të fortë, dhe shtoi se diversiteti kulturor ka qenë gjithmonë një vlerë e shtuar për vendin.Protesta e studentëve për gjuhën shqipe është caktuar për ditën e hënë dhe organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje të gjerë dhe respektim të mënyrës paqësore.