Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është takuar sot në Shkup me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien.
Diskutimet ndodhën përpara takimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së dhe SHBA-së.
Plani i Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, do të mbledhë të hënën në Shkup liderët e Ballkanit Perëndimor. Mikpritës i takimit të organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, do të jetë kryeministri i këtij vendi Dimitar Kovaçevski.
Pjesëmarrjen e kanë lajmëruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ai i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe ministri i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Srgjan Amidzhiq, njofton Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Pjesë e tryezës do të jenë edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ministri i Financave, Fatmir Besimi, si dhe kolegë të tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Organizatat rajonale, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), CEFTA dhe Forumi i Investimeve të Odave të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare, marrin pjesë në takimin për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor në Shkup.