Papa Françesku i ka bërë thirrje botës që të mësojë nga historia, kur bëhet fjalë për luftën bërthamore, dhe të zgjedhë rrugën e paqes.
“Ne nuk mund të harrojmë rrezikun e luftës bërthamore që pati kërcënuar botën atëherë”, ka thënë ai në një meshë masive në sheshin e Shën Petrit më 9 tetor, duke iu referuar periudhës së Luftës së Ftohtë në vitet 1960.
Papa Françesku u ka ikur kritikave të drejtpërdrejta ndaj Rusisë, prej nisjes së luftës së saj në Ukrainë në shkurt, mirëpo ka folur më shpesh kundër vdekjeve dhe shkatërrimeve që sjell lufta.
Kreu i Selisë së Shenjtë i ka bërë thirrje Evropës që të ketë mëshirë për migrantët që i ikin situatës së vështirë.
“Deri më sot e kemi Mesdheun, varrezën më të madhe në botë. Dëbimi i migrantëve është gjë e neveritshme, është kriminale”.
Qindra mijëra migrantë kanë tentuar të kalojnë Mesdheun nga Afrika e Veriut, në tentim e sipër për të kaluar në Evropë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL/