Papa Françesku bëri thirrje të mërkurën për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të marra në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit në fundjavë dhe shprehu shqetësimin për rrethimin që Izraeli ka vendosur në Rripin e Gazës si përgjigje.
"Unë vazhdoj të ndjek me dhimbje dhe shqetësim atë që po ndodh në Izrael dhe Palestinë," tha Papa.
Françesku pranoi se Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes pas sulmeve të Hamasit, përfshirë masakrat e civilëve, ndërsa shtoi se është i shqetësuar për situatën në Gaza.
Izraeli ka goditur Gazën me sulme ajrore vdekjeprurëse gjatë ditëve të fundit dhe ka ndërprerë furnizimin me ushqim dhe karburant.
“Terrorizmi dhe ekstremizmi nuk ndihmojnë për të arritur një zgjidhje të konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve, por në vend të kësaj ushqejnë urrejtjen, dhunën, hakmarrjen dhe vetëm i bëjnë të dyja palët të vuajnë. Lindja e Mesme nuk ka nevojë për luftë, por për paqe: një paqe e ndërtuar mbi drejtësinë, dialogun dhe guximin e vëllazërisë”, tha Françesku./ANSA