Pançev: Kosova veproi mirë për zgjedhjet në veri, Serbia s’do ta zbatojë marrëveshjen
Lexohet për: 3 min.
panqev-210423
1 vit më parë
Linku u kopjua

Njohësi bullgar i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Anton Pançev, thotë se Kosova ka vepruar mirë që ka insistuar për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore me 23 prill, pavarësisht mospjesëmarrjes së Listës Serbe.

Ai në një intervistë për KosovaPress, deklaron se nuk pret të ketë trazira të dielën në veri, megjithëse ekstremistë serbë mund të kenë skenar për destabilizimin e asaj pjese.

“Republika e Kosovës duhet të ndjek në mënyrë strikte ligjet e veta dhe gjithçka duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, jo sipas dëshirave politike, gjeopolitike dhe presioneve të jashtme. Vetëm kështu Kosova do të zhvillohet si një shtet sovran dhe krejtësisht të pavarur. Kosova nuk është dashur të bëjë lëshime në këtë drejtim”, thotë ai.

Pançev, i cili është edhe albanolog, thotë se Serbia e di mirë se nuk mund të lejojë trazira në veri pas arritjes së marrëveshjes së Ohrit.

Njohësi bullgar i zhvillimeve në Prishtinë është skeptik që Serbia do të zbatojë marrëveshjen e arritur me Kosovën.

“Beogradi tani deklaron se ka pranuar marrëveshjen, por unë nuk besoj në sinqeritetin e Vuçiqit. Ata do të përdorin të gjitha veglat e mundshme për shtyrjen e zbatimit të marrëveshjes dhe do të akuzojnë Kosovën se nuk po zbatojnë marrëveshjet, kryesisht për Asociacionin”, thotë ai.

Ndërkaq, Pançev deklaron se Serbia vazhdimisht do të insistojë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të ketë kompetenca ekzekutive, mirëpo, shton se Kosova nuk duhet ta lejojë një gjë të tillë.

“Mirë që do të hartohet draft-statuti i Asociacionit, por përfaqësuesit serbë do të insistojnë që në këtë statut të futen elemente, nene, dispozita që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të lejohen natyrisht nga autoritetet e Kosovës”, përfundon ai.

Më 23 prill në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, pas dorëheqjeve të kryetarëve të këtyre komunave në nëntor të vitit 2022. Zgjedhjet në veri fillimisht ishin caktuar me datë 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato u shtyn pas incidenteve dhe pamundësisë për organizimin e tyre.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bjoseph-per-kosovapress-deklaratat-e-vuciqit-jane-te-papranueshme-kujdes-me-23-prillin/
https://kosovapress.com/admin/baraliu-mosshtyrja-e-zgjedhjeve-ne-veri-hap-i-duhur/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025