“Palestinezi në shitje”, reklama që tronditi nënën Zehra, ajo kërkon ndihmë nga Trump
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
“Palestinezi në shitje”, reklama që tronditi nënën Zehra, ajo kërkon ndihmë nga Trump
zahra 1
27/02/2026 - 13:59
Linku u kopjua

Zahra Shurrab është një grua palestineze të cilës i është zhdukur djali, Muhamedi, 18 muaj më parë.

Për kaq kohë, ajo nuk diti gjë rreth fatit të tij.

Por, së fundmi mori vesh diçka për të birin, që është me telashe të shëndetit mendor.

Lajmi ishte i hidhur, por jo për faktin se ai nuk jeton më.

Muhamed, sipas disa të dhënave që nëna e tij ka hasur, është vënë në shitje.

Zahra u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare që të përcaktojnë fatin e djalit të saj pasi e gjeti një fotografi e cila po qarkullon në internet, me një mbishkrim fyes në hebraisht, e në të cilën pretendohet se ai ndodhet diku në Izrael.

Ajo e identifikoi burrin në imazh si djalin e saj 40-vjeçar, Mohammed Rabi Said Shurrab.

Fotografia paraqet një burrë të veshur me të bardha, me duart, këmbët dhe sytë e lidhur. Shoqëruar me imazhin ishte fraza në hebraisht: “Palestinezi në shitje”.

“Në internet e gjetëm djalin tonë duke u ofruar për shitje si palestinez nga hebrenjtë. E njoha nga fytyra, nga balli — ai ka një shenjë në kokë — nga mjekra, nga goja dhe nga këmbët. A vlen vërtet kaq pak një palestinez sa të bëjnë pazare për të në këtë mënyrë?”

Zahra, që bashkë me familjen Shurrab u zhvendosën nga Rafah në Khan Younis, në jug të Gazës, tha se Mohammed është zhdukur që nga 8 gushti 2024.  Disa dëshmitarë thanë më vonë se ai ishte parë pranë Universitetit Al-Aqsa në Khan Younis, por vendndodhja e tij mbeti e panjohur.

Pavarësisht shpërndarjes së njoftimeve për persona të zhdukur dhe kontaktimit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, familja tha se nuk mori asnjë informacion derisa fotografia u shfaq në rrjetet sociale, së fundmi.

Me çfarë ligji apo me çfarë feje veprojnë kështu — të bëjnë pazare mbi një qenie njerëzore? Djali im është i sëmurë; ai është person me nevoja të veçanta. U bëj thirrje të gjithëve, çdo zemre mëshire, të gjitha institucioneve, Kryqit të Kuq dhe të gjitha shoqatave brenda dhe jashtë vendit: ju lutem, vetëm ma qetësoni mendjen për djalin tim. Qoftë i vdekur apo i gjallë, dua të di në cilin burg ndodhet. Ku është ai? Ka një vit e shtatë muaj që është zhdukur. Nuk dinim asgjë derisa morëm lajmin se po bëheshin pazare për të dhe po ofrohej për shitje.”

Ajo ka një lutje të veçantë edhe për një njeri të veçantë

“O Trump, ti që fole për paqe dhe zgjidhje... ku është djali im? Dua që ta gjesh djalin tim. Ne po rrimë këtu, duke jetuar pranë ‘Vijës së Gjelbër’, por unë vetëm dua që djali im të kthehet. Nëse ka paqe dhe ti ke pasur sukses, atëherë unë duhet ta di se ku është djali im.”

Familja po hyn në Ramazanin e dytë pa Mohammedin dhe kjo po e mundon shumë Zahranë. Ajo, çdo ditë pret që djali t’i kthehet.

“Kjo është krevati i tij. Unë rri gjithmonë këtu, duke pritur pranë kësaj dritareje, duke i thënë vetes: ‘Ndoshta, vetëm ndoshta, do ta shoh duke kaluar.’ Shikoj rrobat e tij, shikoj çantën e tij, shikoj krevatin e tij. Shikoj dhomën e tij, shikoj nga dritarja. Them: ‘Inshallah, shpresoj ta shoh papritur duke kaluar”

Armëpushimi i mbështetur nga SHBA-ja ka hyrë në fuqi në Gaza që nga 10 tetori, duke ndalur luftën dyvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit, që kishte nisur më 7 tetor 2023, kur grupi që shumë shtetev e qeveri në botë e quajnë terrorist, sulmoi shtetin hebre, duke vrarë mbi 1120 veta ndërsa mori peng 250 tjerë.

Izraeli ndërkaq, u hakmor duke vrarë mbi 60 mijë palestinezë, shifër kjo që e pretendon ministria e shëndetësisë në Gaza.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026