Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij në tubimin e bashkimit me kandidaten e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, shpalli nisjen e një etape të re politike që, sipas tij, synon bashkimin dhe forcimin e vendit.
Abdixhiku tha se LDK-ja po hyn në një fazë të re me më shumë unitet dhe vendosmëri.
Kryetari i LDK-së theksoi se e ardhmja politike që synojnë do të ndërtohet pavarësisht pengesave. Abdixhiku kritikoi kundërshtarët politikë, duke thënë se e ardhmja u takon atyre që, sipas tij, bashkojnë dhe ndërtojnë.
Abdixhiku shtoi se Kosova ka nevojë për një frymë të re politike dhe bashkim të forcave politike për stabilitet. Ai u ndal edhe te ndarjet e së kaluarës brenda LDK-së, duke i cilësuar si të dhimbshme, por të tejkalueshme.
“Miq të dashur qytetarë, shumë vite më parë rrugët tona politike u ndanë, jo sepse mungonte dashuria për Kosovën, jo sepse mungonte besimi te Rugova, jo sepse mungonte ideali për Republikën, i kishim të gjitha. Por u ndamë në një kohë të rëndë, në rrethana të vështira, në një klimë të mbushur me mllef, gabime e përplasje. Dhe për vite të tëra, politika jonë jetoi me atë ndarje. Edhe LDK-ja jetoi me atë plagë. Edhe shumë qytetarë mbështetës tanë jetuan me atë zhgënjim. Por sonte dua t’ju them diçka shumë njerëzore. Në politikë mund të ndahesh, mund të kalosh kohë të gjatë si të ndarë, por kur e do njësoj, kur e do njësoj shtëpinë tënde politike, kur e do më shumë Republikën se gjithçka tjetër, rrugët gjejnë mënyrën të bashkohen prapë, sepse ka diçka më të madhe sesa secili prej nesh. Më të madhe se individi, më të madhe se egoja, më të madhe se mllefet e së kaluarës, kësaj të madhe i thonë Republikë e Kosovës, i thonë Lidhje Demokratike e Kosovës. Dhe pikërisht në këto të dyja, ne kemi gjetur motivin për të nisur një etapë të re bashkimi, një etapë që krijon shpresë dhe u del në krah qytetarëve tanë”, u shpreh Abdixhiku.
Duke iu drejtuar të pranishmve, Abdixhiku tha se ky moment shënon më shumë se një marrëveshje politike.
Theksoi se jashtë sallës politike ndodhet një realitet i vështirë për qytetarët e Kosovës.
“Është një nënë diku që pret djalin t’i kthehet nga mërgimi, një babë që nuk ia del dot muajit. Është një i ri që nuk është më i sigurtë nëse duhet të ndërtojë jetën ktu. Është një vajzë e re që para vetes i ka ëndrrat më të bukura që dikush mund t’i ketë dhe s’mund t’i realizojë dot. Është një familje që do thjesht ngrohtësi, mirëqenie e normalitet. Është një ndërmarrës që ndihet i papërmbajtur, pa drejtim, pa shpresë. Është një mjek, një mësues, një ushtar, një punëtor që ka nevojë për politikanë që nuk sillen si pronarë të shtetit, por si shërbëtorë të qytetarëve të vet. Dhe mbi të gjitha është një Kosovë, një Kosovë që është lodhur duke pritur, një Kosovë që do normalitet e qetësi, një Kosovë e etur për një politikë që bashkon e nuk përçan. Një politikë që ndërton e nuk helmon çdo ditë jetën publike. Pra, është një popull i tërë që dëshiron të besojë edhe një herë. Le t’ua krijojmë këtë besim vetëm edhe një herë se kaq ka nevojë populli i Kosovës. Prandaj, ky bashkim duhet të jetë më shumë se një ngjarje, duhet të jetë një zotim. Zotim se do ta kthejmë seriozitetin në politikë, dinjitetin në institucione dhe shpresën tek qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se Kosova nuk ka nevojë për konflikte të reja politike, por për stabilitet dhe qasje shtetformuese.
Ai bëri thirrje për bashkim të qytetarëve në një rrugëtim të përbashkët politik dhe institucional, duke theksuar se vendi ka nevojë për një frymë të re bashkëpunimi.
“Zonja e zotërinj, ka momente në politikë që mbeten vetëm lajme ditësh, ka momente që zgjasin vetëm një cikël elektoral, por ka dhe momente që mbeten gjatë në kujtesën e një populli, sepse flasim për diçka më të madhe sesa politikë vetë. Sonte, kjo natë është një moment i tillë. Sonte po japim një mesazh të qartë për Republikën, mesazh se njerëzit që e duan njësoj Kosovën dinë të bëhen bashkë, dinë ta lënë anash të kaluarën për të ardhmen, dinë ta vendosin Republikën mbi çdo gjë tjetër. Dhe pikërisht për këtë arsye, më lejoni që me duartrokitjet më të mëdha të mundshme, me kënaqësinë më të madhe, me respektin më të madh dhe besimin më të madh për Republikën tonë, të ftoj para jush kandidaten tonë për presidente dhe presidenten e ardhshme të Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani”, përfundoi ai.