Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, katër prej tyre zyrtarë komunalë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë, të pandehurit D.M., A.K., E.SH. dhe I.H. akuzohen për veprën penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar", ndërsa XH.K. dhe A.S. për veprën penale "Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik".
Po ashtu, E.SH. dhe I.H. akuzohen se kanë aprovuar realizimin e punimeve dhe pagesa në vlerë prej 17,124.10 euro për projektet e rrugëve "Hafir Gashi", "25 Gushti" në fshatin Javor dhe "Osman Dalipi" në fshatin Luzhnicë, ndonëse dy nga rrugët nuk ishin ndërtuar fare. Me këto veprime, sipas aktakuzës, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej 6,439.82 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.
Ndërkaq, XH.K. dhe A.S., si persona përgjegjës të operatorëve ekonomikë kontraktues, akuzohen se nuk kanë realizuar të gjitha punimet e parapara me kontratat e prokurimit publik, por kanë paraqitur dokumentacion sikur ato ishin përfunduar, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës.