Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Željko Komšić dhe Denis Bećirović, me të cilët ka diskutuar për nevojën që parlamenti atje të ratifikojë marrëveshjet e dala nga Procesi i Berlinit ku përfshihet edhe marrëveshja për lëvizjen e qytetarëve me letërnjoftime.
Në takimin e zhvilluar në margjinat e Procesit Bërdo Brijuni, Osmani ka thënë se ratifikimi i marrëveshjeve nga ana e autoriteteve të BeH, përveç një obligim, është edhe domosdoshmëri që do ta ndihmojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy shteteve “që do t’i kontribuonte rritjes së komunikimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy popujve”.
Katër shtetet e rajonit kanë ratifikuar marrëveshjet e Procesit të Berlinit, njëra prej të cilave parasheh lëvizjen vetëm me letërnjoftime në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Por e njëjta nuk është miratua ende nga BeH.