Presidentja, Vjosa Osmani thotë se Kosova i di shumë mirë pasojat e koncesioneve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm. Kështu tha Osmani në një opinion për prestigjiozen britanike “The Economist”, ku foli edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe e më tej.
Presidentja ka theksuar se teksa bota është përqendruar me të drejtë tek Ukraina, presidentit i Rusisë, Vladimir Putin përmes Serbisë po intensifikoj përpjekjet për ta destabilizuar Kosovë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Sjellim të plotë opinionin e Osmanit për “The Economist”:
Akomodimi i autokratëve sot vetëm i trimëron ata nesër. Koncesionet ndaj tiranëve nuk janë kurrë të përkohshme dhe asnjëherë nuk sjellin paqe të qëndrueshme.
Kjo luftë është mënyra e Putinit për ta vënë në sprovë botën demokratike dhe është një përpjekje për ta thyer frymën tonë demokratike. Mirëpo në vend të kësaj, lufta në Ukrainë ka bashkuar botën demokratike në një mënyrë të paparë për dekada të tëra. Mënyra se si ne – qoftë vendet e vogla apo të mëdha - vazhdojmë të përgjigjemi ndaj kësaj situate, nuk do të përcaktojë vetëm të ardhmen e Ukrainës, por të ardhmen e Evropës dhe të botës. Çfarëdo përgjigje nuk ka të bëjë vetëm me popullin e Ukrainës, por edhe se në çfarë bote duam të jetojmë dhe se çfarë mesazhi të përbashkët duhet t’u dërgojmë autokratëve kudo.
Pamjet rrënqethëse të sulmeve çnjerëzore ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas dhe qëndresa e guximshme e atyre që luftojnë për jetën e tyre dhe për të mbrojtur shtetin e tyre, është përkujtues i rëndë e i vështirë i një të kaluare të errët për popullin e Kosovës.
Kosova i di shumë mirë pasojat e koncesioneve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm. Mos reagimi i hershëm ndaj Sllobodan Millosheviqit rezultoi në luftëra të shumta të përgjakshme në ish-Jugosllavi të ndjekura nga një regjim gjenocidal, të gjitha në emër të dëshirave fashiste për të krijuar një "Serbi të Madhe". Dhuna çoi në qindra mijëra të vdekur, përdhunim të dhjetëra mijëra grave dhe shpërngulje të miliona njerëzve.
E gjithë kjo ndodhi para syve të botës. Fatmirësisht, NATO-ja dhe bota na dolën në ndihmë në vitin 1999, duke i dhënë fund gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera kundër popullit të Kosovës. Por, sot ne jemi dëshmitarë, edhe një herë, të një shkeljeje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, të agresionit barbar dhe brutal kundër Ukrainës dhe popullit të saj të pafajshëm, dhe potencialit për një luftë shumë më të madhe në Evropë dhe më gjerë.
Marrëdhënia e Rusisë me liderët më problematikë dhe agresivë të Ballkanit perëndimor, përkatësisht me Aleksandër Vuçiqin e Serbisë dhe liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodikun, nuk është sekrete. Niveli i mbështetjes ushtarake dhe politike që Rusia i ofron Serbisë, në veçanti, është i rëndësishëm dhe duhet ta ngrejë alarmin nga Ankaraja në Londër dhe nga Berlini në Uashington.
Në vitin 2012, përpara se Vuçiqi të vinte në pushtet, Serbia kreu dy stërvitje ushtarake me aleatin e saj lindor. Pas gati një dekade të udhëheqjes së tij, numri i këtyre llojeve të aktiviteteve është rritur në mënyrë eksponenciale. Partneriteti midis dy vendeve është kaq thelbësor për të dyja palët, dhe blerja dhe donacionet e armatimit të rëndë aq të konsiderueshëm, sa që Moska ka hapur një zyrë të mbrojtjes në Beograd dhe një qendër të ashtuquajtur "humanitare" në Nish për të cilën ka pikëpyetje të mëdha rreth misionit të saj të supozuar. Nuk është çudi që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ka deklaruar se Serbia ofron “mjedisin më të përshtatshëm” për ndikimin rus në rajonin tonë.
Gjatë viteve të fundit, pavarësisht se flet nëpërmjet një loje shtirëse rreth vlerave evropiane, Serbia e ka rritur bashkëpunimin e saj politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivele të papara më parë, madje as nën regjimin e Millosheviqit. Zhvendosja e Serbisë drejt autokracisë ka qenë graduale dhe më e rëndësishmja, e qëllimshme. E lënë për një kohë të gjatë e pa kundërshtuar e nganjëherë edhe e pranuar, sot Serbia paraqet një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin në Evropë. Kjo është tashmë e dukshme në të gjitha indekset ndërkombëtare për demokracinë, për mediat dhe për liritë. Rënia e vlerësimit të Serbisë është dëshmi e prirjes së saj gjithnjë e më autokratike.
Veprimet e pajustifikuara të Serbisë rreth çështjes së targave të automjeteve vitin e kaluar, po aq e dëshmojnë këtë. Ndryshe nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, për gati një dekadë Serbia kërkoi që me rastin e hyrjes në Serbi të hiqen targat e regjistrimit të Kosovës dhe më pas të zëvendësohen me të përkohshme. Në tetor Kosova, si palë e barabartë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, vendosi reciprocitet. Qeveria në Beograd nxitoi të vendosë tanke dhe avionë luftarakë rus MiG në kufirin tonë, ku ambasadori rus u shfaq me shpejtësi për të dhënë bekimin e tij nëse forcat serbe hyjnë në Kosovë.
Përballë këtyre zhvillimeve, akomodimi i vazhdueshmëm i Vuçiqit nga disa mbetet një shqetësim serioz dhe një rrezik për paqen.
Zhvillimet në Ukrainë janë një përkujtues se nuk duhet të jemi kurrë indiferentë përballë autokracisë ose kur kërcënohen vlerat dhe aleatët tanë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me "ne" apo "ata", por ky është përkujtim për të gjithë se një kërcënim për demokracinë në një vend është një kërcënim për të gjithë ne.
Ky shkrim është i publikuar në “The Economist”, më 14 mars 2022.