Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se regjimi i Millosheviqit përdori aktin e dhunës seksuale si mjet të frikësimit dhe demoralizimit. Osmani u shpreh se lufta në Kosovë është testament i vlerave, por edhe dëshmi e përkushtimit që tmerret e luftës nuk mund të njollosin asnjëherë dinjitetin njerëzor. Në adresimin e saj në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë, kryetarja e shtetit ka cituar një deklaratë të një viktime të dhunës seksuale nga Kosova, teksa rrëfen për torturat e tmerrshme të forcave serbe. Në takimin e posaçëm të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit, Osmani përmendi edhe Vasfije Krasniqi Goodman, gruan e parë që foli publikisht për aktin makabër.
Ajo në një adresim virtual deklaroi se sa herë takon një të mbijetuar të dhunës seksuale, kupton nivelin e dhimbjes dhe fuqinë transformuese të qëndrueshmërisë së tyre. Osmani shtoi se viktimat e dhunës seksuale zgjedhin të lulëzojnë dhe luftojnë për drejtësi.
Tutje, e para e vendit deklaroi se është gjithmonë e mahnitur kur sheh vendosmërinë e palëkundur të të mbijetuarave për të refuzuar të përkufizohen nga e kaluara.
Në takimin për “Parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës seksuale të shkaktuar nga konfliktet”, kryetarja e Kosovës përmendi edhe gruan e parë që rrëfeu publikisht për tmerrin që përjetoi. Ajo tha se Vasfije Krasniqi Goodman është bërë simbol i kërkimit për drejtësi.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.
Rreth 20 mijë gra e burra nga Kosova janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për këtë krim, gjykatat vendore kanë dënuar vetëm një person me dhjetë vjet burgim. /Sh.Pajaziti