Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në urimin për vitin 2025, ka thënë se teksa po hyjmë në vitin 2025, vendi ynë do të vazhdojë të ecë me hapa të sigurt për në familjen euroatlantike, duke siguruar të ardhmen tonë si kontribues për paqen, stabilitetin dhe demokracinë globale.
Urimi i Presidentes Osmani për Vitin e Ri 2025
Të dashur mërgimtarë,
Të nderuar miq ndërkombëtarë të vendit tonë,Ditë si kjo, janë ditë të veçanta. Na bëjnë të shikojmë prapa në udhëtimin e vitit që po e lëmë pas, duke shpresuar fort që kemi bërë më të mirën dhe duke uruar që në vitin që pason të veprojmë e të punojmë gjithnjë e më mirë.
Në të vërtetë, viti 2024 nuk ka qenë gjithnjë i lehtë – na kanë përcjellur sfidat nga ato ekonomike e deri te ato të sigurisë.
Këtë e dëshmuam më së miri edhe kur filmat tanë arritën në festivalin e filmit të Kanës e kur morëm Çmim Special në Bienale të Venecias; kur xhudistet tona fituan edhe dy medalje Olimpike në Lojrat Olimpike të Parisit, kur Kosova fitoi medalje të arta në festivale në Spanjë, e po kështu, kur korrëm suksese të vazhdueshme në fushën e Informacionit e Teknologjisë, e inovacionit e kur bizneset e Kosovës depërtuan në tregjet ndërkombëtare. Këtë vit, fuqizuam sektorin e sigurisë, krijuam miqësi të reja e siguruam pjesëmarrje e përfaqësim për Kosovën në forume, ngjarje e samite më të mëdha e të rëndësishme botërore. Botës i dëshmuam se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm dhe se njerëzit tanë gjithnjë shkëlqejnë kur ju ofrohen mundësi të barabarta.
Ëndrra jonë për një Kosovë edhe më të begatë, edhe me më shumë dinjitet, me mundësi edhe më të mëdha dhe mirëqenie për çdo familje vazhdon.
Rruga jonë mund të jetë e vështirë, por ne e dimë se asnjë ëndërr nuk është e paarritshme kur jemi bashkë, dhe kur na udhëheqë guximi, ambicia e shëndoshë dhe parimësia.
E derisa vizioni ynë mbetet i palëkundur, mendjen dhe zemrën e kam sot me të gjithë ata që për një arsye ose tjetër po e presin këtë vit të ri pa të dashurit e tyre pranë; me të gjithë ata që po luftojnë fort për jetën; me të gjithë punëtorët në vijën e parë të shërbimit; si dhe me të gjithë heronjtë e heroinat e çdoditshëm të vitit që po e lëmë pas.
Gjersa po përgatitemi të cakrojmë gotat, uroj që viti 2025 të sjellë paqe aty ku po sundon lufta; të sjellë qetësi ku nuk ka rehati; të sjellë shëndet aty ku ka ballafaqim me sëmundje, të sjellë siguri në shtëpitë nën kulmin e të cilave fatkeqësisht gjen strehë akoma dhuna; të sjellë barazi – barazi në mundësi, në përfaqësim; trajtim dhe respekt.
Kosova është shtëpia jonë e përbashkët dhe së bashku, çdo ditë do të vazhdojmë angazhimin për ta bërë atë një vend të mundësive edhe më të mëdha, dinjitetit dhe krenarisë.
Gëzuar Viti i Ri, të dashur qytetarë!E për fund, por jo me më pak rëndësi, një mesazh për mërgimtarët tanë:
Këto ditë nuk janë mbushur vetëm rrugët, por janë shtuar edhe buzëqeshjet, hareja e lumturia. Për të gjithë mërgimtarët që po kalojnë këtë fundvit në vendlindje, urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta. Këto janë momentet më të mira për të ndarë gëzimin e festave me ata që i keni më të shtrenjtë. Kosova mbetet shtëpia juaj e përhershme. Shëndet dhe lumturi, kudo që ndodheni!