Rutte: Stabiliteti në Kosovë, në interes të të gjithëve në NATO
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Foto Arkivë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi është në interes të të gjithëve dhe nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në Aleancën Veri-Atlantike.
Ai këto komente i bëri gjatë qëndrimit në Bratislavë të Sllovakisë, kur u pyet në një debat me studentë se a e sheh mundësinë e rifillimit të konfliktit në Kosovë, pasi ka pasur thashetheme se politika e re amerikane mund të çojë deri te largimi i tyre ushtarak.
“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë, nga ajo çfarë unë po kuptoj nga sistemi amerikan është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave apo adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor duhet të jemi të sigurt që ne të mbajmë në fokus këtë rajon sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithë neve”, u përgjigj Rutte.
Kjo deklaratë e shefit të NATO-s vjen në kohën e raporteve të tensionuara mes Evropës dhe SHBA-së, pas hapave të ndërmarrë nga administrata amerikane me Rusinë për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Bild-i gjerman shkroi më 19 shkurt se disa shtete evropiane janë të shqetësuara se SHBA-ja mund të tërheqë plotësisht trupat e saj nga Evropa dhe se “Italia ka filluar të përgatitet për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova”.
NATO ka mision paqeruajtës në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë mbi 4.600 trupa nga 28 vende të botës. Numri më i madh i tyre është nga Italia, pasuar nga SHBA, Hungaria dhe Turqia. /REL