Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me raportuesen e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që ato janë të padrejta dhe si të tilla po krijojnë disbalancë në pozicionimin e palëve në procesin e dialogut.
Ajo tha se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura me Serbinë në procesin negociues të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Osmani foli edhe për rëndësinë që BE-ja të lëvizë përpara në raport me Kosovën përmes dhënies së statusit të vendi kandidat.
Në takim u diskutua për faktin që 2024-ta do të jetë një vit elektoral në nivel të Bashkimit Evropian, me ç’rast u fol mbi implikimet potenciale të rezultateve të këtyre zgjedhjeve në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
BE ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, përveç atyre të fokusuara për diskutimin e krizës në veri në kuadër të dialogut.
Tensionet në veri nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.
Sipas BE-së për këto masa Qeveria është njoftuar më 28 qershor 2023 dhe se ato janë të revokueshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti.
Ky i fundit masat e BE-së për Kosovën i ka quajtur të padrejta, duke thënë se "Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”.