Në kuadër të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, presidentja Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci takuan sot ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Bill Blair.
Në një postim në Facebook, presidentja Osmani ka bërë të ditur se Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë programin e bashkëpunimit në trajnim ushtarak, për të cilin sot gjatë ditës kishte raportuar KosovaPress.
“Një lajm i mrekullueshëm sot nga Halifaxi: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak. Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-ministres së mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada. Kosova dhe Kanadaja - një partneritet në rritje në dobi të qytetarëve, paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Osmani.