“Kosova ka nevojë për unitet dhe për një vizion që e forcon shtetin brenda dhe jashtë vendit”, tha kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani në hapjen zyrtare të fushatës së LDK-së për zgjedhjet e 7 qershori, që u mbajt në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
“Po e rinisim këtë rrugë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë, me besim të patundur në Zot, me besim në shtet e me besim në familje.
Ajo falënderoi strukturat dhe aktivistët e LDK-së për mbështetjen dhe përkushtimin gjatë rrugëtimit politik, ndërsa theksoi se bashkë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, synojnë një Kosovë më të fuqishme dhe më të konsoliduar në raport me aleatët ndërkombëtarë.
Osmani tha se Kosova duhet të ecë përpara në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me botën demokratike, duke shtuar se zhvillimi, dinjiteti shtetëror dhe uniteti duhet të jenë baza e politikës së ardhshme.“Jemi bërë bashkë në këtë shtëpi politike për të vazhduar një mision i cili nuk është përfunduar akoma, duke u bashkuar me trashëgiminë e presidentit historik, Ibrahim Rugova e duke deklaruar se Kosova nuk mund të jetë asnjëherë instrument i kalkulimeve në kushta politike, sepse është projekt i sakrificës dhe i besimit. Prandaj edhe e kam pranuar këtë përgjegjësi në LDK dhe me vetëdijen e plotë se pikërisht ky është momenti për ta kthyer Kosovën në rrugën e saj të natyrshme, të fortë brenda e të respektuar jashtë, të bashkuar brenda e të palëkundur në miqësi me aleatët tanë, sepse vetëm kështu Kosova e mban premtimin e saj historik dhe vetëm kështu i mbetet besnike sakrificës së dëshmorëve e martirëve, të cilëve u jemi jetësisht mirënjohës.Motra dhe vëllezër, ka njerëz që thonë se rugovizmi është vetëm një histori. Ka njerëz që thonë se rugovizmi i takon vetëm të kaluarës. Por unë ju them sonte: rugovizmi nuk është rrugë e së kaluarës, rugovizmi është ideja më moderne që ka njohur populli shqiptar në historinë e tij. Prandaj, prandaj rugovizmi i takon së ardhmes. Sepse Rugova kuptoi shumë herët diçka që të tjerët akoma nuk e kanë kuptuar: shteti nuk bëhet me zhurmë e me gaz, shteti mbahet me dije, me aleatë, me institucione dhe me dinjitet. Ndërsa të tjerët mendonin për pushtet, Rugova mendonte për Kosovën në Evropë dhe për miqësinë e përhershme me Amerikën. Kur të tjerët mbyllnin dyer, Rugova mbyllte plagë. Kur të tjerët shanin e përçanin, ai ndërtonte miqësi me botën demokratike. Kur të tjerët e përqeshnin dhe e sulmonin, ai i afronte, ai i bashkonte dhe ai i bënte pjesë të institucioneve“, tha Osmani.
Ajo shtoi se në kohën e polarizimeve politike dhe tensioneve shoqërore, rugovizmi mbetet modeli më i avancuar politik shqiptar, duke e përshkruar atë si politikë me moral, shtet me dinjitet dhe orientim të qartë perëndimor.