Osmani: Kongresi i Kirurgëve të Kosovës një sukses i madh
Shëndetësi
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Kryetari i Shoqatës së Kirurgëve Torakal të Kosovës, Bedri Osmani tha se organizimi i kongreseve siç është ai i katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, është i një rëndësie të veçantë sepse shkëmbehen eksperiencat në mes lëmive të ndryshme në kuadër të kirurgjisë. Mbajtjen e këtij kongresi, ai e konsideron si një sukses të madh.
Ky kongres bëri bashkë mbi 500 profesionistë shëndetësor, me ç’rast patën mundësinë të shkëmbejnë përvojat dhe teknikat e tyre në fushën e kirurgjisë.
Osmani që njëkohësisht është edhe kryetar i komitetit për sëmundje të gjirit në kuadër të KKK-së, mori pjesë në këtë organizim përmes një simpoziumi satelit, me ç’rast ishte pjesëmarrës në një intervenim kirurgjik.
“Mbajtja e këtyre kongreseve është i një rëndësie të veçantë me arsyetimin që shkëmbehen eksperiencat në mes të lëmive të ndryshme në kuadër të kirurgjisë. Kjo është kongresi i katërt dhe besoj që ka qenë me sukses të madh nga ana e ekipeve organizatore”, tha Osmani.
Kirurgu torakal u shpreh se në kuadër të kongresit përmes një workshopi realizoi një intervenim kirurgjik përmes një metodë të re tek një paciente e sëmurë me kancer të gjirit.
“Ne kemi marrë pjesë përmes një workshopi ose një simpoziumi satelit ku unë kam qenë pjesëmarrës në intervenimin kirurgjik i cili është kryer me metodën e re ose metodën bashkëkohore që njihet si sentiment metodë me aplikim e një së pari nga ana e mjekëve të mjekësisë nukleare të një substance radioaktive në gjirin i cili është i sëmurë me kancer e më pas përmes një detektori që njihet si sentellen metodë bëhet identifikimi i nodeve limfatike në regjionin akselar. Unë kam qenë në grupin operator të këtyre dy raste të cilat veçse se kanë qenë të planifikuara më herët dhe në grupin tonë ka marrë pjesë edhe patologu, radiologu dhe ne si kirurgë…Mund të themi me përgjegjësi të plotë se me futjen e kësaj metode në Kirurgjinë Torakale ku edhe bëhet trajtimi i gjirit, jemi pothuajse më trend me të gjitha vendet e regjionit dhe të botës dhe trajtimi i kancerit të gjirit është formë protokolare si në botë ashtu edhe te ne”, tregoi Osmani.
Ndërkaq, në prag të muajit rozë, që njihet edhe si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Osmani potencoi se është rritur sensibilizimi i grave për këtë sëmundje.
Ai theksoi se është rritur numri i grave që paraqiten në fazën e parë dhe të dytë të kancerit të gjirit e më pak në fazën e tretë e të katërt.
“Duke iu falënderuar të gjitha informacioneve të nevojshme mund të themi se të gjitha gratë pothuajse janë të sensibilizuara për rreziqet që i kanë dhe mundësinë e sëmundjeve të kancerit por unë them se është rritur ndërgjegjja e grave sepse kemi shumë më shumë raste me fazën e parë ose fazën e dytë, ku detektohet kanceri sesa në fazën e tretë dhe fazën e katërt”, tha Osmani.