Klinika e Pediatrisë ka bërë të ditur se është operuar 5-vjeçari nga Lipjani.
Të martën është raportuar se gjendja shëndetësore e të miturit ishte e rënduar, si pasojë e moskujdesit nga ana e prindërve.
“Pacienti 5-vjeçar sot i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike. Intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore. Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile”, thuhet në njoftimin në “Facebook”.
Po ashtu, është bërë e ditur se pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore.“Për çdo përditësim të mëtejmë lidhur me gjendjen e pacientit, mediat dhe publiku do të njoftohen në vijim vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së. Njëkohësisht, theksojmë se ekipet profesionale shëndetësore janë duke ofruar përkujdesje maksimale dhe trajtimin e nevojshëm në përputhje me protokollet mjekësore. Për këtë arsye, lusim mediat që të kenë mirëkuptim dhe të shmangin presionet për informata shtesë, kërkesa për intervista apo forma të tjera të komunikimit të drejtpërdrejtë, pasi çdo informacion zyrtar nga Klinika e Pediatrisë do të përcillet vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së”, thuhet po aty.
https://www.youtube.com/shorts/a3_aRY_9Eps