Ekspertja ndërkombëtare: Serbia mund të përdorë metoda ruse në zgjedhjet e 7 qershorit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Ekspertja ndërkombëtare: Serbia mund të përdorë metoda ruse në zgjedhjet e 7 qershorit
tryeza
28/05/2026 - 11:19
Linku u kopjua

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka organizuar Forumin 2026 me temën “Integriteti Zgjedhor përballë Kërcënimeve Hibride: Implikimet e Sigurisë nga Ndërhyrja e Huaj”, ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë diskutuan për rreziqet që paraqesin ndërhyrjet hibride dhe dezinformimi në proceset zgjedhore.

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, tha se rastet e fundit në Evropë kanë dëshmuar pasojat serioze të ndërhyrjeve hibride dhe rëndësinë e masave parandaluese.

Ai theksoi se neutralizimi i ndërhyrjeve të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë nuk është vetëm detyrë institucionale, por edhe kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.

Në sesionin e parë të forumit, ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, deklaroi se zgjedhjet janë proces kompleks që kërkon kujdes të shtuar edhe në aspektin e sigurisë gjatë organizimit.

Sipas saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përballur vazhdimisht me tentativa ndërhyrjeje nga Serbia, sidomos në veri të Kosovës.

Daka tha se shqetësuese kanë qenë edhe presionet ndaj kandidatëve serbë që nuk kanë qenë pjesë e Listës Serbe.

“Gjithë ata që kanë përfaqësuar komunitetin serb jashtë Listës Serbe janë ndëshkuar në forma të ndryshme, përfshirë largimin nga puna”, deklaroi ajo.

Nga Policia e Kosovës, Vwllaznim Sordolli tha se policia është duke ndërmarrë veprime konkrete për t’u përballur me sfidat e sigurisë zgjedhore.

Ai shtoi se hetuesit policorë dhe prokurorët janë të angazhuar në terren para dhe gjatë zgjedhjeve për të reaguar menjëherë ndaj parregullsive eventuale.

Ndërkaq, eksperti nga Hibrid.info, Festim Rizanaj, foli për narrativat dezinformuese gjatë fushatave zgjedhore.

Sipas tij, një pjesë e narrativave lidhen me pretendimet për “terror institucional”, “arrestime politike”, manipulim të procesit zgjedhor dhe ndikimin e votës së diasporës në rezultatet zgjedhore.

Ai tha se këto narrativa në gjuhën serbe depërtojnë edhe në sferën digjitale dhe sistemet e inteligjencës artificiale.

Për sinkronizimin ruso-serb në ndërhyrjet zgjedhore foli edhe Dr. Iryna Synelnyk, e cila tha se ndërhyrja ruse në zgjedhje është strategji afatgjatë që synon dëmtimin e demokracisë përmes dezinformimit dhe implikimit në proceset zgjedhore.

Ajo paralajmëroi se ekziston probabilitet i lartë që Serbia të tentojë të ndikojë në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë duke përdorur metoda të ngjashme me ato të përdorura nga Rusia në vende të tjera.

Sipas saj, institucionet duhet të punojnë më shumë për parandalimin e këtyre sulmeve dhe për vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me kërcënimet hibride.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026