Operacioni “Delivery” kap 5 persona të rrezikshëm, u ikën policëve si nëpër filma
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Operacioni “Delivery” kap 5 persona të rrezikshëm, u ikën policëve si nëpër filma
policia operacioni delivery
26/03/2026 - 09:51
Linku u kopjua

Pesë persona janë arrestuar të mërkurën nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në rajonin e Prishtinës, në operacionin e koduar me emrin “Delivery”. Katër prej tyre u kapën për trafikim të drogës dhe një për krime kibernetike.

Krejt kjo ndodhi si nëpër filma, pasi të dyshuarit u kanë ikur, për një kohë, policëve, duke ngarë makinën me shpejtësi të madhe dhe duke rrezikuar sigurinë në trafik

Hetimet në arrestimin e tyre fillimisht çuan në identifikimin e dy personave të dyshuar për shpërndarje të marihuanës dhe kokainës në Prishtinë.

“Më datë 25.03.2026, rreth orës 14:00, është zbatuar një plan taktik operacional, ku të dyshuarit janë lokalizuar në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë të tipit Golf 8 me targa vendore. Me të vërejtur prezencën e policisë, të njëjtit kanë tentuar të ikin me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në komunikacion”, thuhet në një njoftim të policisë, transmeton KosovaPress. “Gjatë ndjekjes, të dyshuarit kanë lëvizur në drejtim të Fushë-Kosovës, më pas drejt Podujevës, për t’u kthyer sërish në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë. Ndjekja ka përfunduar në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, ku njësitë policore kanë arritur t’i ndalojnë dhe arrestojnë të dyshuarit”

Gjatë kontrollit që iu bë atyre, policia gjeti dhe sekuestroi mbi 2.2 kilogramë marihuanë, dhe një tjetër sasi prej mbi 1.1 kilogramësh që dyshohet se ishte hedhur nga të dyshuarit gjatë arratisjes në fshatin Raskovë të Obiliqit.

Mëpastaj, janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar, mes tjerash, edhe 4045 euro, 40 funta dhe 40 franga

Gjithashtu, është kontrolluar edhe një veturë tjetër e përdorur nga të dyshuarit, ku janë gjetur 25 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë totale prej 11.9 gramësh.

Gjatë operacionit është zbuluar edhe një hapësirë e përshtatur si “Call Center”, ku janë sekuestruar pesë llaptopë. Lidhur me këtë rast, hetimet janë zgjeruar edhe në fushën e krimeve kibernetike, ku është arrestuar edhe një person tjetër, duke e çuar në pesë numrin total të të arrestuarve.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet nga antidroga në Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente. /KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026